Mbushen kapacitetet e spitaleve, mbi 1 mijë pacientë me Covid-19 të hospitalizuar - Gazeta Express

Mbushen kapacitetet e spitaleve, mbi 1 mijë pacientë me Covid-19 të hospitalizuar

Lajme

Gazeta Express

30/11/2020 18:04

Spitalet rajonale dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës, po vazhdojnë të mbushen me pacientë të infektuar me Covid-19. Momentalisht 1 mijë e 10 pacientë janë të hospitalizuar në këto institucione shëndetësore për shkak të infektimit me virusin Covid-19, raporton Gazeta Express.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe spitalet rajonale në vend janë të stërngarkuara për shkak të numrit të madh të pacientëve të infektuar me Covid-19.

Sipas një raporti të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të shtrirë 353 pacientë të infektuar me Covid-19, nga të cilët 9 janë në respiratorë, 250 me oksigjen dhe 15 në ventilim mekanik joinvaziv(CRAP).

Nga ta 288 janë të konfirmuar pozitiv me Covid-19, 22 të konfirmuar negativ dhe 43 të pakonfirmuar.

Ndërsa në spitalet rajonale janë të shtrirë 657 pacientë me Covid-19, nga të cilat 7 janë në respirator, 22 në CRAP dhe 478 me oksigjen.

Në Spitalin e Prizrenit janë të shtrirë 197 pacientë, në Spitalin e Gjakovës 114, në Spitalin e Pejës 127, në Spitalin  e Gjilanit 105, në Spitalin e Vushtrrisë 11, në Spitalin e Mitrovicës 33 dhe në Spitalin e Ferizajit 70.

422 prej këtyre pacientëve janë të konfirmuar pozitiv me këtë virus, 94 janë negativ ndërsa 14 janë të pakonfirmuar.

Drejtor të spitaleve rajonale në Kosovë, kanë thënë për Express se janë të stërngakuar me pacientë.

Ata janë shprehur të shqetësuar për numrin e vogël të punëtorëve shëndetësorë, të cilët janë të lodhur nga kjo situatë./Express/