Pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump për zhvillimin e një projekti për “mbrojtje raketore”, Kina ka reaguar e shqetësuar, me thirrje ndaj Uashingtonit për të ndaluar zhvillimin e tij.
Sipas raportimeve të Reuters, një zëdhënëse e ministrisë së Jashtme kineze, ka thënë se Kina është “seriozisht e shqetësuar” për projektin amerikan Golden Dome apo “Mburoja e Artë”, dhe i ka bërë thirrje Uashingtonit të braktisë zhvillimin e saj.
Kujtojmë se të martën, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se kishte përzgjedhur një dizajn për projektin me kosto 175 miliardë dollarë dhe ka emëruar një gjeneral të Forcave Hapësinore për të udhëhequr këtë program ambicioz, i cili synon të bllokojë kërcënimet që vijnë nga Kina dhe Rusia.
E pyetur për projektin gjatë një konference për shtyp, zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, është shprehur se “ai mbart implikime të forta ofensive” dhe rrit rreziqet për militarizimin e hapësirës dhe për një garë të re armatimesh.
“Shtetet e Bashkuara, duke ndjekur një politikë të tipit ‘Amerika e para’, janë të fiksuara pas kërkimit të një sigurie absolute për veten e tyre. Kjo bie ndesh me parimin se siguria e të gjitha vendeve nuk duhet të komprometohet dhe dëmton balancën dhe stabilitetin strategjik global. Kina është seriozisht e shqetësuar për këtë,” ka thënë Mao.
Tutje ajo i ka bërë thirrje Uashingtonit që të braktisë zhvillimin e këtij sistemi sa më parë të jetë e mundur dhe të ndërmarrë hapa për të forcuar besimin dhe bashkëpunimin mes fuqive të mëdha botërore.