Mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq tha se dëshmitari James Peter Covey i cili ka shërbyer në Kosovës si zëvendës i Bernard Kouchnerit, do të tregojë për rolin që ka pasur Thaçi gjatë asaj kohe.
“James Peter Covey ka shërbyer në Kosovë si zëvendësi kryesor i përfaqësuesit të posaçëm të sekretarit të përgjithshëm, Bernard Kouchner nga periudha 15 korrik 1999 deri në janar 2001. Në këtë rol, zoti Covey ka luajt një rol shumë të rëndësishëm për zbatimin e mandatit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë që njihet ndryshe si UNMIK sipas Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 në Kosovë dhe ka punuar ngushtë me përfaqësues në Kosovë, aktorë të ndryshëm dhe me figura politike në Kosovë duke përfshirë këtu edhe zotin Hashim Thaçin”, tha Mishetiq.
Ai tha se Covey ka dhënë prova lidhur me rolin e Thaçit dhe bashkëpunimin që e ka pasur ai me UNMIK-un në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ai (Covey) ka dhënë prova lidhur me rolin e zotit Thaçi dhe punën që ka bërë ai në bashkëpunim me UNMIK-un për të ndihmuar për stabilizimin e Kosovës duke folur kundër akteve të dhunës, duke bërë thirrje për tolerancë, duke bërë demilitarizimin e UÇK-së dhe duke mbështetur Shërbimin Policor të Kosovës dhe Forcave Mbrojtëse të Kosovës, duke marrë pjesë në përpjekje për të përfshirë pjesëmarrjen lokale në qeverisje përmes Këshillit të Përkohshme të Kosovës dhe Strukturave të Administratës së Përkohshme”, tha avokati.
Përveç kësaj, Mishetiq tha se Covey do të tregojë se Thaçi nuk ka pasur autoritet real mbi UÇK-në.
“Konstatimet e kanë bërë atë që të arrijë në përfundimin që Thaçi nuk ka pasur autoritet real mbi UÇK-në dhe nuk ka qenë në pozicion që të organizojë ose ndalojë dhunën që ka ndodhur gjatë verës së vitit 1999 dhe se roli dhe ambiciet e Thaçit ishin të një politikani që ka treguar që ka qenë i aftë për të punuar me UNMIK-un dhe i aftë për të gjetur kompromis”, tha Mishetiq.