Barcelona e nisi parasezonin me një fitore pozitive 3-1 ndaj Vissel Kobe, ku vëmendja u përqendrua kryesisht tek paraqitjet e mira të lojtarëve të rinj të transferuar.
Megjithatë, për një lojtar të ekipit, ndeshja solli një lajm negativ.
Mbrojtësi i djathtë 19-vjeçar, Hector Fort, ishte i vetmi lojtar i fushës nga ekipi i parë që ishte i gatshëm për lojë, por nuk u aktivizua fare në Japoni, duke qëndruar në stol.
Eric Garcia mori vendin e Jules Kounde si mbrojtës i djathtë titullar, gjë që u pa si një mesazh i qartë për Fort.
Pas një sezoni ku shpesh ka hasur kritika nga trajneri Hansi Flick, Fort gjithashtu mbërriti me vonesë në testet mjekësore ditën e parë të përgatitjeve, një shkelje disiplinore që zakonisht ndëshkohet me lënien jashtë formacionit nga trajneri gjerman.
Sipas disa burimeve, Barcelona po konsideron largimin e të riut.
Fillimisht, “Diario AS” raportoi se do të merrej në shqyrtim një huazim, ndërsa “Sport” shton se klubi katalanas preferon ta shesë lojtarin.
Drejtori sportiv Deco është kthyer nga Japonia për t’u marrë me largimet, dhe Fort bashkë me Jan Virgili mund të jenë të radhës.
Në rast transferimi, pritet një marrëveshje e ngjashme me atë të Pablo Torre, ku Barcelona do të ruajë një përqindje nga shitja e ardhshme dhe mundësi rikthimi të lojtarit në të ardhmen.
Fort pati shumë pak minuta sezonin e kaluar, pavarësisht se ishte i vetmi mbrojtës i djathtë natyral pas Jules Kounde.
Në ndeshjet e rëndësishme, Flick shpesh preferoi të përdorte Eric Garcia në atë rol.
Pas deklaratave publike të Fort në prill, ku shprehu pakënaqësi për mungesën e mundësive, Flick e kritikoi hapur.
Nga kjo situatë, duket qartë se trajneri gjerman nuk ka të njëjtën besim tek i riu siç kishte paraardhësi i tij, Xavi Hernandez./GazetaExpress/