Mbrohet në heshtje i akuzuari për mashtrim, Kadri Rexhepi - Gazeta Express
string(56) "mbrohet-ne-heshtje-i-akuzuari-per-mashtrim-kadri-rexhepi"

Mbrohet në heshtje i akuzuari për mashtrim, Kadri Rexhepi

Gazeta Express

14/02/2020 13:04

Njëri nga dy të akuzuarit për mashtrim, Kadri Rexhepi ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, në seancën e mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në këtë çështje penale, i akuzuar është edhe Rrahim Hashimi, i cili gjatë mbrojtjes së tij ka mohuar veprën për të cilën ngarkohet, si dhe Ekrem Lika, mirëpo i njëjti gjendet në arrati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lexo Edhe:

Mbrojtja me zëvendësim e të akuzuarit Rexhepi, avokatja Arbnora Shefkiu ka deklaruar se është konsultuar me të mbrojturin e saj dhe se i njëjti ka thënë se nuk do të deklarohet.

“Pas konsultimit me te mbrojturin tim Kadri Rexhepi, e gëzojmë të drejtën që të mos deklarohemi meqenëse i njëjti për këtë çështje ka dhënë një deklaratë në organet e drejtësisë e po ashtu mosha dhe gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë, andaj edhe nuk do të deklarohet”, ka thënë Shefkiu.

Po ashtu gjatë kësaj seance ishte paraparë të jepet edhe fjala përfundimtare, mirëpo për shkak se mbrojtësja e të akuzuarve si dhe i dëmtuari Faton Dalladaku nuk kanë qenë të gatshëm, e njëjta është shtyrë për 24 shkurt 2020, në ora 09:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 21 mars 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit për shkak të veprës penale “Mashtrimi”, në bashkëkryerje, nga neni 335 par.5 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, në periudhën kohore prej 30 dhjetor 2011, deri më 24 korrik 2012, në Prishtinë, në zyrën e të dëmtuarit Faton Dalladaku, e cila gjendet në rrugën “Perandori Justinian”, në lagjen “Pejton”, të pandehurit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me të pandehurin tjetër Ekrem Lika, i cili për momentin gjendet në arrati, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin si dhe për t’i shkaktuar dëm personit tjetër, e kanë vënë në lajthim të dëmtuarin Faton Dalladaku.

Gjithnjë sipas prokurorisë, ata përmes të akuzuarit Kadri Rexhepi, prezantohen rrejshëm para të dëmtuarit dhe atë i akuzuari Rrahim Hashimi, si i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, ndërsa i akuzuari Ekrem Lika si dhëndër i Kadri Veselit, ashtu që të tre së bashku kinse me qëllim të ndërmjetësimit për blerjen e Qendrës Kardiake të Kosovës SH.P.K në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se ky ndërmjetësim pretendohej të realizohej kinse mes personit të quajtur Ekrem Lluka si shitës dhe Faton Dalladaku si blerës, ashtu që e nxisin të njëjtin të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke i prezantuar draft-kontrata sipas të cilave arrijnë ta bindin se i akuzuari Rrahim Hashimi, është pronar i Qendrës Kardiake të Kosovës, me 20 për qind të aksioneve, ndërsa Ekrem Lluka me 80 për qind, me ç’rast arrijnë të marrin nga i dëmtuari Dalladaku shumën e përgjithshme të të hollave prej 290 mijë e 810 euro, për të cilën shumë edhe i shkaktojnë dëm material.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” në bashkëkryerje, nga neni 335 par.5 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.