Mbreti i Belgjikës, Philippe, i ka cilësuar abuzimet në Gaza si “një turp për njerëzimin” gjatë një fjalimi të mbajtur në prag të Ditës Kombëtare – një deklaratë jashtëzakonisht e drejtpërdrejtë për çështje ndërkombëtare nga një monark që zakonisht shmang përfshirjen publike në politikë.
“Unë e bashkoj zërin tim me të gjithë ata që denoncojnë abuzimet serioze humanitare në Gaza, ku njerëz të pafajshëm po vdesin nga uria dhe po vriten nga bombat, të ngujuar në enklavat e tyre,” ka thënë Philippe, raporton Reuters.
Ai tutje ka shtuar se: “Situata aktuale ka zgjatur për shumë kohë. Është një turp për gjithë njerëzimin. Ne mbështesim thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për ta përfunduar menjëherë këtë krizë të padurueshme.”
Raportohet se kjo ishte hera e parë që Philippe shprehej kaq hapur në publik për një konflikt.
Kujtojmë se Izraeli nisi ofensivën në Gaza pas një sulmi të Hamasit në tetor të vitit 2023, e që atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, forcat izraelite kanë vrarë mbi 59,000 njerëz në Gaza, ndërsa pjesa më e madhe e territorit është shkatërruar dhe Izraeli ka kufizuar ushqimin dhe furnizimet e tjera.