Mbreti Charles do t’i heqë Andrew titullin e tij të fundit - Gazeta Express
string(57) "mbreti-charles-do-ti-heqe-andrew-titullin-e-tij-te-fundit"

Lajme

Gazeta Express

03/11/2025 14:40

Mbreti Charles do t’i heqë Andrew titullin e tij të fundit

Lajme

Gazeta Express

03/11/2025 14:40

Ish-princit Andrew do t’i hiqet edhe titulli i tij i fundit ushtarak pas vendimit të Mbretit Charles, tha sekretari britanik i mbrojtjes.

John Healey për BBC deklaroi se po bëhen hapat e duhur që Andrew të mos mbajë më pozicionin si zëvendësadmiral në Marinën Britanike dhe se Mbreti Charles kishte lënë të kuptohej se kjo është ajo që ai dëshiron.

Charles javën e kaluar ia hoqi vëllait të tij më të vogël titullin e princit dhe e dëboi nga rezidenca për të shmangur dëmtimin e reputacionit të familjes mbretërore për shkak të lidhjeve të Andrew me Jeffrey Epstein.

“Ky është një veprim i duhur, është një veprim që mbreti ka treguar se duhet ta ndërmarrim dhe po punojmë për këtë moment”, tha John Healey, sekretar britanik i mbrojtjes.

Andrew e mbajti gradën e tij si zëvendësadmiral në vitin 2022, kur hoqi dorë nga pozicionet e tjera ushtarake.

Për familjen mbretërore britanike u pyet edhe Presidenti amerikan Donald Trump, duke e quajtur një situatë tragjike.

“Ndihem keq. Është një gjë e tmerrshme që i ka ndodhur familjes. Ka qenë një situatë tragjike, ndihem keq për familjen“, tha Donald Trump.

Andrew, 65 vjeç, vëllai më i vogël i Charles dhe djali i dytë i Mbretëreshës së ndjerë Elizabeth, në muajin tetor u detyrua të ndalonte së përdoruri titullin e tij Duka i Jorkut.