Mbreti Alberti i II-të i Belgjikës pranon se ka fëmijë jashtëmartesor - Gazeta Express

Mbreti Alberti i II-të i Belgjikës pranon se ka fëmijë jashtëmartesor

Lajme

Gazeta Express

28/01/2020 9:23

Mbreti Alberti i II-të, i cili u tërhoq nga froni i Belgjikës në rrethana misterioze në vitin 2013, ka pranuar se ka pasur fëmijë përmes një marrëdhënieje jashtëmartesore në vitet e gjashtëdhjeta.

Delphine Boël qe gjashtë vjet është duke luftuar në gjykata për të vërtetuar se Mbreti Albert është babai i saj biologjik. Ajo tash mund të bëhet trashëgimtare e një të tetës së pasurisë së mbretit.

Gjatë një beteje të gjatë ligjore, gjatë së cilës Mbreti Alberti i II-të i refuzonte pretendimet e Boël-it, avokati i tij e lëshoi një deklaratë, me të cilën u pranua atësia, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Boël, 51 vjeçe, kishte kërkuar që një gjë e tillë të vërtetohej edhe para njëzet vjetëve, por kërkesa e saj ishte refuzuar, pavarësisht se kishte dëshmi që mbreti ishte pjesë e fëmijërisë së saj.

Vitin e kaluar, një gjykatë e apelit vlerësoi përmes ekspertizës se Jacquel Boël, me të cilin vajza ishte rritur, nuk ishte babai i saj biologjik. Gjykata mori vendim që të bëhet analiza e ADN-së për t’u vërtetuar ose mohuar shkencërisht pretendimi i kësaj gruaje.

Mbreti Albert kishte pranuar se kishte pasur krizë martesore me bashkëshorten, por kishte mohuar se ka pasur aferë dashurie me ndonjë grua tjetër.