Një mbrëmje për t’u mbajtur mend për Álvaro Arbeloan, në suksesin e tij të parë të madh si trajner i Real Madridit.
Skuadra spanjolle e dominoi ndeshjen e parë të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve kundër Manchester Cityt me një paraqitje taktikisht perfekte mes presionit dhe menaxhimit të lojës, duke e lënë Pep Guardiolën dhe lojtarët e tij në “mëshirë të fatit”, shkruan “Tuttomercatoweb”, përcjell “Gazeta Express”.
Ish-mbrojtësi madrilen “goditi” me të gjitha zgjedhjet: e hodhi në fushë Trent Alexander-Arnold, i ndalur nga dëmtimet deri tani dhe autor i një ndeshjeje me shumë personalitet; e konfirmoi edhe një herë Dean Huijsen, i fishkëllyer në paraqitjet e mëparshme dhe tani i duartrokitur nga publiku në “Santiago Bernabéu”, ndërsa Ferland Mendy luajti titullar për herë të dytë radhazi pas një ndalese të gjatë.
Surpriza e madhe ishte zgjedhja për ta aktivizuar Thiago Pitarch, mesfushorin shumë të ri të lindur në vitin 2007.
18-vjeçari hyri në historinë e Real Madridit duke u bërë lojtari spanjoll më i ri që zbret titullar me “Merengues” në një ndeshje të fazës eliminatore të Championsit, duke e thyer rekordin e Raúl González (18 vjeç e 220 ditë kundrejt 18 vjeç e 253 ditëve të ish-kapitenit).
Në sulm, më pas, Reali shkëlqeu me një treshe që nuk e la asnjë pikë referimi për mbrojtjen kundërshtare: Brahim Díaz i rrezikshëm dhe vendimtar, Arda Güler gjithmonë i saktë dhe i kujdesshëm në lojë, ndërsa Vinícius Júnior ishte vazhdimisht kërcënues në krahë.
Por protagonisti i vërtetë i mbrëmjes ishte Federico Valverde, autor i një tregolëshi të jashtëzakonshëm si mesfushor total, me gola spektakolarë dhe një paraqitje si lider i vërtetë i skuadrës.
Në një natë të tillë perfekte për Real Madridin, taktika e Arbeloas funksionoi në çdo detaj dhe Manchester City i Guardiolës u duk pa ide dhe pa zgjidhje për të reaguar. /Gazeta Express