Mblidhet Qeveria - ka edhe seancë të jashtëzakonshme - Gazeta Express
string(50) "mblidhet-qeveria-ka-edhe-seance-te-jashtezakonshme"

Lajme

Gazeta Express

03/04/2026 7:02

Mblidhet Qeveria – ka edhe seancë të jashtëzakonshme

Lajme

Gazeta Express

03/04/2026 7:02

Qeveria e Kosovës pritet të shqyrtojë sot projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg sot në mbledhjen e planifikuar për në orën 9:30.

Sipas agjendës, mbledhja pritet t’i ketë 16 pika. Ndër to është edhe ajo e çështjes së çmimeve në kohë kur tregu është jostabil. Një ligj i tillë në mandatin e shkuar, ai për çmimet tavan, ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

Në Kosovë ka nisur një valë e re inflacioni, qëkur më 28 shkurt si pasojë e sulmeve amerikano-izraelite mbi Iran nisi shtrenjtimi i naftës në nivel bote.

Për të ndikuar në uljen e çmimit të derivateve, partitë opozitare kanë rekomanduar uljen e akcizës ose të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Megjithatë, Qeveria ka refuzuar.

Sot pritet të mbahet edhe një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, pikërisht mbi këto kërkesa të opozitës.

Kjo është kërkuar nga LDK-ja, me mbështetjen edhe të deputetëve të partive të tjera opozitare, PDK dhe AAK.

Pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i një rezolute “për rritjen e çmimeve të naftës, mungesës së ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimit të drejtpërdrejtë në koston e jetës, si dhe stabilitetin ekonomik të vendit”.

Seanca do të mbahet me fillim prej orës 11:00.

Shefja e deputetëve të LDK-ë, Jehona Lushaku Sadriu ka thënë se është urgjente ndërhyrja e ekzekutivit për rastin e rritjes së çmimeve.

“Lidhja Demokratike e Kosovës me përkrahje edhe të deputetëve të PDK-së dhe AAK-së ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për rritjen e çmimit të naftës. Nafta po shtrenjtohet çdo ditë. Çmimet po rriten. Derisa, qytetarët po varfërohen. E Qeveria? Spektatore. Kërkojmë veprime të menjëhershme. Transparencë. Masa konkrete. Qytetarët nuk janë bankomat i Qeverisë!” ka shkruar shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku.

Në rend dite në mbledhjen e Qeverisë janë edhe shqyrtimi i projektligjit për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, ai për shtetësinë e Kosovës, ai për lëndët plasëse e ai për Maturën Shtetërore.

Po ashtu priten shqyrtime edhe të disa projektligjeve të tjera si dhe nisma për një marrëveshje për bashkëpunim ushtarako-financiar me Turqinë.

Advertisement
Advertisement
Advertisement