Sot, duke filluar në orën 11:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës ku pritet të shqyrtohen 10 rekomandime për certifikimin e subjekteve politike për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale 2025.
Lajmi është bërë i ditur për Gazeta Express nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka shtuar se u takon anëtarëve të KQZ-së të vendosin për rekomandimet e përgatitura nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike që ka pranuar dhe shqyrtuar aplikimet e subjekteve politike.
“Mund t’iu konfirmoj se në mbledhjen e sotme, në rend dite është certifikimi i 10 subjekteve politike, prej të cilave 2 iniciativa qytetare dhe 8 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 64 kandidatë, prej të cilëve 5 kandiatë për Kryetarë të Komunave dhe 59 për anëtarë të Kuvendeve Komunale”, tha Elezi.
Sipas tij, për këta kandidatë është kryer procesi i verifikimit në disa institucione.
“Pasi ka pranuar këto aplikime, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) ka ndërmarrë hapat ligjorë për verifikimin e kandidatëve në bashkëpunim me institucionet e ndryshme shtetërore sipas përgjegjësive të tyre ligjore dhe ka përgatitur rekomandimet për certifikim. U takon anëtarëve të KQZ-së që të marrin vendimin meritor për këto aplikime”, tha ai.
Afati për aplikim online të subjekteve politike dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve ka fillur më 26 qershor dhe do të përfundojë më 13 gusht 2025.
Sipas KQZ-së, subjektet politike kanë të drejtën e plotë të vendosin në cilat komuna do të marrin pjesë në zgjedhje dhe të përcaktojnë vetë nëse do të garojnë vetëm në zgjedhje për kryetar komune ose për Kuvend Komunal apo për të dyja njëkohësisht në një komunë të caktuar.