Në një mbledhje të tensionuar të kabinetit qeveritar izraelit, Kryeministri Benjamin Netanyahu ka kundërshtuar presionet nga Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) për të organizuar një votim mbi një marrëveshje të propozuar për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh me Hamasin.
Mbledhja, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati deri në orët e para të mëngjesit të së hënës në Tel Aviv, është përshkruar si një nga më të tensionuarat e javëve të fundit. Netanyahu theksoi se një marrëveshje e tillë nuk është në tryezë, duke shtuar se ish-presidenti amerikan Donald Trump e kishte këshilluar më parë të mos pranonte një zgjidhje të pjesshme.
Sipas burimeve nga mbledhja, Shefi i Shtabit, gjeneral Eyal Zamir, i cili raportohet se është kundër planit për të pushtuar qytetin e Gazës, këmbënguli që të diskutohej marrëveshja, pavarësisht se nuk ishte pjesë e agjendës, shkruajnë mediat ndërkombëtare.
Propozimi i Hamasit, i paraqitur më 18 gusht, parashikonte lirimin e 10 pengjeve të gjalla dhe kthimin e trupave të 18 të tjerëve në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë, përfshirë rreth 1.000 të ndaluar në Gaza, si dhe një armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit do të zhvilloheshin bisedime për kthimin e pengjeve të mbetura dhe përfundimin e luftës.
Zamir theksoi se “kemi një kornizë të qartë mbi tryezë, dhe duhet ta pranojmë atë”, duke argumentuar se operacioni ushtarak “Qerret e Gideonit”, që ka çuar në kontrollin e rreth 75% të Rripit të Gazës, ka krijuar kushtet për kthimin e pengjeve.
Ministri i Jashtëm Gideon Sa’ar dhe Ministrja e Informacionit Gila Gamliel gjithashtu kanë mbështetur marrëveshjen, duke theksuar izolimin diplomatik të Izraelit pas vendimeve të disa shteteve perëndimore për të njohur shtetin palestinez.
Megjithatë, Netanyahu mbeti i palëkundur, duke thënë: “Një marrëveshje e pjesshme nuk ka kuptim”, një qëndrim që ai ka mbajtur edhe më parë.
Ministrat e ekstremit të djathtë Itamar Ben Gvir dhe Bezalel Smotrich kërkuan që të zhvillohej një votim për të refuzuar zyrtarisht marrëveshjen, por Netanyahu u përgjigj: “Nuk ka nevojë për votim. Nuk është në tryezë”, sipas burimeve nga media izraelite.
Ndërkohë, Izraeli po vijon përgatitjet për një ofensivë të plotë për pushtimin e qytetit të Gazës, pavarësisht paralajmërimeve dhe tensioneve brenda dhe jashtë vendit.