Ka nisur mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Kryesuesja e Këshilit të Përgjithshëm të LVV-së, Arbërie Nagavci e hapi mbledhjen duke falëmnderuar për pjesëmarrjen, ndër të tjerë, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Dimal Basha.
Nagavci përmendi se do të propozojnë Albin Kurtin për kryeministër, ndonëse përmendi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila të premtën vendosi masë të përkohshme, duke ua ndaluar deputetëve ndërmarrjen e çdo veprimi apo zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e qeverisë së re deri më 30 shtator.
“Ndonëse jemi në një moment kur Kuvendi pas zgjedhjeve ka zgjedhur tashmë kryetarin dhe katër nënkryetarët, me vendim të Gjykatës Kushtetuese, të 120 deputetëve u është pezulluar puna për shkak të ankesës së Listës Serbe. Gjithsesi, ne në këtë mbledhje të veçantë e të rëndësishme do të vazhdojmë me propozimin tonë për kryeministër të Republikës së Kosovës, bazuar edhe në besimin e madh që qytetarët i kanë dhënë Lëvizjes dhe kryeministrit Kurti dhe do të diskutojmë edhe për tema të tjera politike”, tha Nagavci.