string(76) "mbledhja-e-kryesise-pdk-thote-se-qeveria-duhet-te-vije-nga-opozita-e-djeshme"

Lajme

Gazeta Express

07/05/2025 17:29

Mbledhja e Kryesisë, PDK thotë se Qeveria duhet të vijë nga opozita e djeshme

Lajme

Gazeta Express

07/05/2025 17:29

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë në të cilën tha se ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike, bllokadën institucionale, si dhe propozimet e iniciativat politike aktuale.

PDK tha se e mbështet qëndrimin për një qeveri që përbëhet nga partitë që kanë qenë në opozitë.  

“PDK angazhohet dhe është e bindur se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re, e përbërë nga partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë. Një qeveri që do të ndalte degradimin institucional, do ta nxirrte Kosovën nga izolimi ndërkombëtar dhe do të zbatonte politika zhvillimore për të gjithë qytetarët, pa dallim. Me një listë të dakorduar të prioriteteve shtetërore, të cilat do ta rikthenin Kosovën në rrugën e duhur të zhvillimit dhe të integrimit euroatlantik”.

Një qëndrim të tillë e ka përsëritur edhe sot kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili kërkon qeveri me partitë opozitare.

PDK për krizë institucionale e bëri përgjegjëse Vetëvendosjen, megjithatë tha se është pro një takimi që do të thërriste presidentja Vjosa Osmani me të gjitha partitë.

“Në këtë frymë, konsiderojmë se Presidentja e Republikës, si institucion mbi-partiak dhe me mandat legjitim, mund të ndërmarrë hapat e nevojshëm për thirrjen e një takimi me të gjitha subjektet politike parlamentare. Një tryezë gjithëpërfshirëse, mund të jetë hapi i duhur për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza institucionale”./Express/