Gjatë ditës së sotme, Partia Demokratike e Kosovës ka mbledhur Këshillin Drejtues, takim në të cilin është diskutuar për zhvillimet në vend, rezultatin zgjedhor të 9 shkurtit, si dhe për përgatitjet për zgjedhjet lokale, shkruan Gazeta Express.
Për këtë ka njoftuar vetë PDK-ja përmes një komunikate për media, ku është bërë e ditur edhe se, kryetari i kësaj partie Memli Krasniqi, gjatë fjalimit të mbajtur duke folur për zgjedhjet lokale, ka treguar për synimet që ka kjo parti.
Krasniqi gjatë adresimit të tij ka kërkuar mobilizimin e të gjithë anëtarëve dhe strukturave për përgatitjet për zgjedhjet lokale.
“Sërish, synojmë të garojmë me njerëzit më të përkushtuar, më të ndershëm dhe më kompetent – për të thelluar qeverisjen e mirë që kemi ndërtuar në shumë komuna të vendit. Qëllimi ynë është i qartë: Të rikonfirmojmë fitoren në të gjitha komunat që i udhëheqim sot – dhe bazuar në qeverisjen e mirë të këtyre katër viteve, kjo është më se e arritshme. Të fitojmë edhe në disa komuna të tjera, ku potenciali është i jashtëzakonshëm. Por, fitorja që synojmë nuk arrihet pa ju, pa mbështetjen, energjinë dhe kontributin tuaj”, ka thënë lideri i PDK-së. /GazetaExpress