Pesha e pothuajse çdo marrëveshjeje me Serbinë duhet të llogaritet më së shumti nga këndvështrimi i pozicionimit gjeopolitik. Ky prizëm bëhet edhe më i pazëvendësueshëm kur dihet se Rusia ka aleatin e saj shekullor në Ballkan, Serbinë, dhe asnjëherë nuk i ka fshehur qëllimet e saj të intensifikuara viteve të fundit, të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me interesin e saj në rajonin specifik, por dalin edhe si një pengesë e planeve perëndimore për zgjerim politik dhe të aleancës ushtarake
Valmir Elezi
Diplomati i ndjerë amerikan, Richard Holbrooke shumë i çmuar edhe në vendin tonë, ka shkruar parathënien e një libri që trajton një ngjarje të para një shekulli.
Në këtë ngjarje të përmasave ndërkombëtare, shqiptarët nuk ishin paraqitur njëzëri. Mungesa e unitetit nuk ishte e dobishme.
Si diplomat që kishte shërbyer në vende të ndryshme të botës sigurisht se është i duhuri për të shkruar për peshën e vendimeve që mund të na duken kaq të largëta në vite, por të pashkëputura nga ajo çka ndodh sot, e me të cilat është përballur edhe vet, ndonëse me njerëz të tjerë që as nuk kishin lindur kur u morën këto vendime.
“Disa nga problemet më të vështira të botës moderne i kanë rrënjet në vendimet e marra direkt pas fundit të Luftës së Madhe”, shkruan Holbrooke në parathënien e tij për librin e historianes kanadeze Margaret MacMillan: “Paris 1919 – Gjashtë muajt që ndryshuan botën”. Në mesin e këtyre vendimeve ai rreshton edhe luftërat në Ballkan ndërmjet viteve 1991 – 1999.
E, librin e saj, MacMillan e fillon pikërisht me një moment të 4 dhjetorit 1918, kur anija e Presidentit amerikan, Woodrow Wilson kishte nisur lundrimin nga New York për në Konferencën e Paqes që do të mbahej në Paris. “Asnjë president tjetër amerikan nuk kishte shkuar kurrë në Europë gjatë kohës që mbante postin zyrtar. Kundërshtarët e tij e akuzuan për shkelje të kushtetutës, madje mbështetësit e tij patën ndjesinë se kjo mund të ishte e nxituar”, shkruan aty, MacMillan.
Natyrisht se askush nuk mund ta shkruajë historinë e asaj që nuk ka ndodhur, por mund ta marrim me mend se si do të dukej bota dhe Shqipëria pa prezencën e Presidentit amerikan në atë konferencë. Me të drejtë historiografia shqiptare i ka dhënë atij vendin e nderit.
Koha se kur po mbahej kjo konferencë ishte jo shumë vite larg pasi Shtetet e Bashkuara kishin hyrë në arenën e Fuqive të Mëdha. Norman Rich në librin e tij “Diplomacia e Fuqive të Mëdha, 1814 – 1914” shkruan se Shtetet e Bashkuara po zinin vendin e tyre ndër gjigantët ekonomik të botës dhe ishte çështje kohe që kjo fuqi të lunate rolin e vet në politikat e fuqive botërore. “Aty nga fundi i shekullit nëntëmbëdhjetë Shtetet e Bashkuara ishin bërë fuqia ekonomike udhëheqëse e botës”.
Ashtu si atëherë, edhe sot, roli i Shteteve të Bashkuara mbetet i pazëvendësueshëm për Kosovën, rajonin tonë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Sigurisht se Kosova nuk është përballë pjesëmarrjes në një konferencë ndërkombëtare të përmasave të Versajës të vitit 1919, por pavarësisht kësaj, janë dy çështje që ndjekin pas politikën e sotme të Kosovës dhe historia mund të na jap mësime të dobishme.
Uniteti politik dhe vetëdija politike për peshën e marrëveshjes duhet të arrihen, jo vetëm si përmbushje e një mësimi nga e kaluara, por edhe si domosdoshmëri e të tashmes. Në kohën e sotme të garës politike, duhet larguar çdo keqkuptim që thotë se uniteti politik ka për qëllim të shmang kritikën dhe të pamundësojë mbikëqyrjen e kundërshtimin.
Ndonëse i nevojshëm, deri më tani ka munguar përpjekja e spektrit politik për unifikimin e qëndrimit për përmbylljen e marrëveshjes me Serbinë. E gjithë orvatja më shumë i ngjan një gare se kush do të drejtojë dhe kjo nuk i ka shërbyer qëllimit thelbësor, pasi palët duken të përçara dhe me fjalor të mbushur me akuza që largojnë më shumë njëra-tjetrën.
Zhvillimi i fundit, njoftimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar vetëm pak ditë para Samitit të planifikuar për t’u mbajtur në Washington, do të krijojë probleme të mëdha në arritjen e unitetit politik në Kosovë.
Ky unitet është i domosdoshëm edhe për të bërë hapin tjetër: arritjen e konsensusit për peshën që ka marrëveshja përfundimtare.
Pesha e pothuajse çdo marrëveshjeje me Serbinë duhet të llogaritet më së shumti nga këndvështrimi i pozicionimit gjeopolitik. Ky prizëm bëhet edhe më i pazëvendësueshëm kur dihet se Rusia ka aleatin e saj shekullor në Ballkan, Serbinë, dhe asnjëherë nuk i ka fshehur qëllimet e saj të intensifikuara viteve të fundit, të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me interesin e saj në rajonin specifik, por dalin edhe si një pengesë e planeve perëndimore për zgjerim politik dhe të aleancës ushtarake.
Ky këndvështrim i jep marrëveshjes përfundimtare fuqinë e saj edhe për brezat që vijnë sepse ajo nuk është menduar të jetë e përkohshme. Në fakt, pas krijimit të shtetit të Kosovës në vitin 2008, kjo mund të jetë marrëveshja me ndikimin më të madh në rajonin tonë. Autori ka mbaruar studimet Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës.