Mbi përkthimin e Poezisë… - Gazeta Express
string(24) "mbi-perkthimin-e-poezise"

Mbi përkthimin e Poezisë…

Gazeta Express

28/09/2020 14:39

Te Grekët e lashtë Perëndia e përkthyesve  quhet Hermes, i cili shfaqet me detyrën që të çojë mesazhet e Zotave te njerëzit vdekatarë…Hermesi është në të njëjtën kohë shkelës kufinjsh, detyra e tij është që të shkapërcejë matanë caqeve, përtej kufinjve, mbas vijave, me qëllim që të arrijë të komunikojë me të huajt, me të panjohurit, që gjithmonë ndodhen përtej cakut

Rudolf Marku

Lexo Edhe:

Përkufizmin më të mirë se çfarë është përkthimi i Poezisë më duket se e ka dhënë poeti amerikan Robert Frost, i cili me thënien e vet të jep përshtypjen se po i pergjigjej një pyetjeje tjetër: Çfarë është poezia? Ai thotë:” Poezia është ajo çka humb në përkthim.”

Pra, diferenca mes tekstit origjinal dhe tekstit të përkthyer është Poezia. Sipas Robert Frost, idealja është që Poezia të mos përkthehet, sepse përkthimi i Poezisë është një ndërrmarrje e kotë. Ndërkohë, Kulla e Babilonit është ndërtuar të paktën nja 10.000 vjet më parë se të lindtte Robert Frost. Njerëzit kanë patur nevojë dhe kanë nevojë që të lexojnë poezitë në gjuhët që nuk i njohin, dhe gjuhët e panjohura janë ku e ku më shumë se gjuhët që dinë dhe poliglotët më të thekur. Por tek pranojmë si një të keqe të pashmangshme Përkthimin e tekstit letrar – dhe bashkë me të dhe përkthimin e Poezisë, që është edhe akti më i komplikuar dhe më i elaboruar linguistik, – del e udhës që të jemi të vetëdijshem se çfarë është përkthimi…

Te Grekët e lashtë Perëndia e përkthyesve  quhet Hermes, i cili shfaqet me detyrën që të çojë mesazhet e Zotave te njerëzit vdekatarë…Hermes është në të njëjtën kohë shkelës kufinjsh, detyra e tij është që të shkapërcejë matanë caqeve, përtej kufinjve, mbas vijave, me qëllim që të arrijë të komunikojë me të huajt, me të panjohurit, që gjithmonë ndodhen përtej cakut… Sipas Platonit (Cratylus), Sokrati jep këtë përkufizim aspak simpatik për Hermesin:

Hermes duket se ka të bëjë disi me Gjuhën. Hermesi është një kasnec, një hajn, dhe një mashtrues, një 99-sh, dhe të gjitha këto përfshihen në forcën që ka gjuha!

Vetë Platoni u jep përparësi përkthyesve në raport me gjuhëtarët, ngase, sipas tij, ndërsa gramatikanët mund të jenë të dobishëm ngase janë në gjendje të na përshkruajnë germat dhe format e shkruara të gjuhës, përkthyesit janë në gjendje të na tregojnë kuptimin e vërtetë të asaj se çfarë është thënë.

Mithet e një kulture kanë të rregjistruara dhe të inkoduara dijen e vërtetë historike apo dhe dijen para-historike të njerëzimit, dhe Mithi i Zotit Hermes si Zoti i përkthyesve mund të jetë ilustrimi më i qartë i kësaj. Sipas Mithit grek, përkthyesi është ai që çon mesazhet e Zotit (Krijuesit) te vdektarët (lexuesit). Është shkelës kufinjsh, në kuptimin e vërtetë të fjalës, sepse sjell autorët e vendeve të tjera dhe të kohnave të tjera tek lexuesi i një vendi tjetër dhe i një kohe tjetër.. është hajn, sepse dhe përkthyesi më i ndershëm nuk e sjell kurrë kuptimin e saktë në përkthim. Është 99-sh, sepse i dredh dhe i spërdredh kuptimet dhe nuancat e origjinalit.

Përkthyesit më të mirë janë ata të cilët e njohin shumë mirë gjuhën në të cilën përkthejnë, madje më mirë nga gjuha nga e cila përkthejnë. Po kështu, ata duhet të jenë të mirëinformuar rreth kulturës së gjuhës burimore nga e cila përkthejnë. Sepse letërsia ekziston jo vetëm brenda një gjuhe, por gjithashtu edhe brenda një kulture. Del kësisoj, se të përkthesh letërsi shpesh do të thotë të përkthesh Kulturë. Gabimet më serioze në perkthim nuk krijohen nga keqkuptimi i gjuhës së tekstit, se sa prej njohjes së pamjaftueshme të diferencave në kulturën e dy gjuhëve –nga ku përkthen dhe në të cilën përkthen…Një përkthyes i Fishtës në anglisht, vargun Zog i Shkinës, e përkthen: Ky bastardh Sllav…Fjalën zog – ai e afron me togflashin Zog kurve, kopil, bastardh, pa i shkue ndërmend se shqipja thotë edhe – Zog nane… Në kontekstin e Fishtës, zog shkine ka kuptim asnjanjës – djali i shkinës. Por gabimi këtu nuk asht aq linguistik, se sa një perceptim i gabuar kulturor. Përkthyesi – shqiptar më patriot se vetë shqiptarët – ka menduar se shqiptarët dhe malazezët vetëm shahen mes tyre dhe nuk ka se si të ketë dialog me kuptime asnjanëse mes tyre.

Përkthimi i Poezisë është akti më i vështirë i përkthimit. Njëra nga veçoritë e përkthimit të poezisë është Interpretimi i tekstit që përkthehet. Është ajo që mund ta shtyjë përkthyesin të shkojë përtej kuptimit real të tekstit, tek ndryshimet e koncepteve të origjinalit. Në këtë rast, poezinë e përkthyer nuk ke se si e boton krahas tekstit original, si botim bi-lingual. Megjithatë ka plot që besojnë se përkthimi i poezisë mund të bëhet edhe atëherë kur përkthyesi nuk e ka rrokë kuptimin e qëllimit të autorit. Përkthimi i Rubaive të Fitzexharlidit është krejt i pasaktë dhe shumë larg nga teksti original. Po të bisedosh me një njohës të mirë të Persishtes klasike, ai ka për të të sqaruar se shumica e strofave të Fitzgeraldit (dhe të Nolit në shqip) nuk korrespondojnë me asnjëren nga rubai-t e Khajamit. Fitzgeraldi ka bërë më shumë një krijim të vetin, dhe Noli ka përkthyer më shumë Fitzgeraldin se sa Khajamin. Por, po qe se Noli do të kishte përkthyer besnikërisht Khajamin, përkthimi i tij nuk do të kishte qenë kaq popullor dhe kaq i pëlqyeshëm nga lexuesit sa ky që njohim sot si Rubairat në shqip. Përkthimet e Fitzgeraldit dhe të Nolit nuk janë përkthime Ad Verbum. Por duke mos qenë të tillë, ato mbesin një shembulli i përkthimit Ad sensum.

Shpesh herë dëgjojmë që aksh përkthim është aq i bukur, sa ia kalon origjinalit. Përkthimi nuk ka nevoje të jetë as më i keq nga origjinali, por dhe as më i bukur. Po qe se një përkthim e kalon origjinalin, atëherë nuk kemi të bëjmë me një përkthim. Ajo që është më e bukur se origjinali është krijim i përkthyesit-autor, është një krijim original, dhe nuk ka të bëjë më me përkthimin e synuar.

A duhet që veç poetët ta përkthejnë poezinë?

Le ta quajmë përkthyesin jo-poet: përkthyes profesionist. Kur një poet përkthen poezinë, ai ka disa avantazhe të mëdha nga përkthyesi profesionist; ka vesh të ndjeshëm që e bën të aftë për të kapur emocionet më të fshehta, më vibruese, më të holla, të cilat rrëshqasin drejt e në det nga rrjeta me bira të mëdha të përkthyesit profesionist. Poeti, kur përkthen poezinë, ka disa vegla pune që përkthyesit profesionist i mungojnë; ka instiktin e lindur të ritmit, ka shijen e duhur për zgjedhjen e fjalëve të sakta, është i familjarizuar me strukturën poetike, ka mirëkuptimin e duhur përkundrejt stërhollimeve metaforike, i kupton instiktivisht aliteracionin, asonancën, tonin, humorin, suspensin…Poeti, kur përkthen, e njeh instiktivisht kontrollin dhe balancën emocionale dhe di të shprehet me një zë natyral që vjen pa ngërçe.

Pranohet nga të gjithë se përkthyesi profesionist nuk ka barut të mjaftueshëm emocional për t’i mbushur fishekët…

Me gjithë këto avantazhe të poetëve përkthyes, a mund ta pranoj përkthimin e poezisë vetëm nga Poetët?

Përkthimi i poezive vetëm nga poetët do më kujtonte përnjeherë atë zakonin e martesave vetëm brenda fisit. Martesa të tilla bëjnë që fëmija i lindun të ketë kufizim në zgjedhje në menynë e AND-së, së prindërve të vet.

Përkthimi i Li PO-s, i mjeshtrit të poezisë kineze të shekullit të 8-të nga Ezra Pound është konsideruar si shprehja e tmerrit të poetit në kohën e luftës, që korrespondon me tmerrin Evropian të Luftes së Parë Botërore. Pra, përkthimi ka të bëjë pak me origjinalin. Kur poeti përkthen, ai përkthen vetveten dhe tek vetvetja. Poezia e përkthyer nga Poeti gjithmonë ka për të mbajtë shenjën e personalitetit të përkthyesit. Sa më i njohur të jetë Poeti që përkthen, aq më keq është. Kur përkthimi i Propertius u shfaq në revisten Poetry, në pranveren e vitit 1914, Pound u gjend në vorbullën e një stuhie sharjesh nga profesorët latinistë dhe akademikë. Vetë Ezra Pound mbrohej duke thënë se nuk ka synuar të bëjë një përkthim fjalë për fjalë..’’Qëllimi im ishte të sillja një të vdekur tek të gjallët, duke e ringjallë poetin romak në kohën tone.” (Homage to Sextus Propertius).

Siç shihet, përkthimi i poezisë nga poetët nuk meriton gjithmonë duartrokitje. Personalisht, mendoj se përkthimet më të mira në gjuhën shqipe i kemi nga përkthyesit profesionistë, dhe jo nga poetët. Natyrisht, pa mohuar dhe përkthimet shumë të mira të sa e sa poetëve.

Emrat e Nolit, Gjon Shllakut, Petro Zhejit, Henrik Lacajt, Pashko Gjeçit, Vexhi Buharaja-s, Robert Shvarcit, Vedat Kokonës, Jusuf Vrionit, Aurel Plasarit, Petraq Kolovicës, Bujar Dokos, Ardian Klosit, Dritan Çelës, dhe i sa e sa të tjerëve kanë qenë disa herë më sugjestionues e më të respektuar se shumë shkrimtarë e poetë bashkëkohës me ta. Edhe për një arsye tjetër, shpjegimin e së cilës e gjejmë në Greqinë e lashtë… Plutarku tregon te ‘’Jeta e Themistokleut’’ se profesioni i Përkthyesit është shpesh i bartun me rreziqe. Themistokleu, me miratimin e popullit të Athinës, pat dënuar me vdekje një përkthyes nën akuzën se ai pat bërë të njohura ligjet dhe kodet e barbarëve në gjuhën greke… Kjo është njëra ndër arsyet përse shumë përkthyes të së djeshmes përmenden tek ne dhe sot e kësaj dite me një respekt të veçantë, njëlloj si Hermesi, i cili krahas të tjerash është dhe Zoti i Kontrabandistëve  – dhe shumë prej përkthyesve që përmenda më lart qenë kontrabandistë që guxonin të kalonin vlerat e ndaluara të kulturës së huaj në viset tona poshtë hundës së Polifemit!

***

Kjo poezi e Shakespeare-it është marrë nga tragjedia “Makbeth” dhe është përfshirë nga poeti i njohur Laureate Ted Hughes si njëra nga 100 poezitë botërore që njeriu duhet t’i dijë përmendsh gjatë jetës së vet.

Në filmin “Birdman” 2014 (me regjizor Alejandro G. Inarritu), aktori Michael Keaton bën një lexim të paharrueshëm të kësaj pjese të Shekspirit.

KJO NESËR, NESËR, NESËR…

Kjo nesër, nesër, nesër,

Na heq zvarrë me hapa të vegjël nga dita në ditë,

Der’ tek rrokja e fundit e kohës që mbajmë mend,

E të gjitha të Djeshmet mashtrueshëm na kanë sjellë në pritë

Në rrugën e Vdekjes së pluhurt.

Shuju, shuju, o qiri jet’shkurtë!

Jeta nuk është gja tjetër veç një hije që ecë a një aktor i mjerë

Që në një orë të vetme fryhet, e pastaj është gjithë pezmatim,

E pastaj harrohet. Jeta është një përrallë,

Q’e tregon një i marrë gjithë tinguj dhe tërbim,

Që nuk thotë asgja e nuk ka asnjë kuptim.

***

ALEXANDER POPE (1688-1744)

Mendjemprehtësia e famshme e Aleksander Pope nuk është askund më e dukshme se sa në këtë poezi të shkurtër të tij. E vetmja poezi në botë ku titulli është më i gjatë nga vetë poezia!

Më duket një poezi tepër e përshtashme për realitetin shqiptar! Si quheshin këto lloj poezish një herë e një kohë? Poezi Aktuale?

Për ta kuptuar më mirë poezinë; Kew (shqiptohet Kju) është një pjesë e njohur e Londrës. Quhet Lagje Mbretërore: Royal Borough- bashkë me Chelsea-n e ndonjë lagje tjetër.

Pope na kujton se, ashtu si qeni që i përket një njeriu (i kujt është ky qen? – pyesim ne), logjikisht dhe njerëzit u përkasin qenve ( çdo qen ka të drejtë po ashtu të pyesë njeriun: cilit Qen i përket ti?). Por kur vjen tek njerëzit, këtë pyetje mund t’ua bëjmë edhe pa patur ndonje qen katërkëmbësh…

Epigram: gdhendur në qaforen e një qeni të cilin ia dhashë madhërisë së tij mbretërore.

Unë jam qeni i Madhërisë së Tij në Lagjen Kju,

: Ju lutem, Zotni, cilit qen i përkisni Ju?

***

Dy poezi nga WALT WHITMAN (1819-1892)

Poeti më i shquar amerikan dhe njëri ndër më të mëdhenjtë e Poezisë botërore- Në shqip poezia e Whitmanit është përkthyer herët, që në vitin 1957, nga Skënder Luarasi (“Fije Bari”). Sipas meje, përkthimi dhe zgjedhja e Luarasit është një akt i jashtëzakonshëm i qytetërimit poetik dhe estetik në letrat shqipe.

Whitman mbetet një poet tepër influencues në poezinë botërore. Gjurmë të ndikimeve të tij mund të ndjesh deri tek poetët bashkëkohës të Bit Generation si Alain Ginsberg a Charles Bukowski.

Këto dy poezi janë një përkthim i imi bërë para disa vitesh; ua kushtoj miqve të mi, Ndoc Gjetjes, Preç Zogajt dhe Shpresa Kapisyzit, me të cilët kemi ndarë me vite adhurimin tonë për poezinë e Whitmanit, gjatë viteve kur jetonim në Lezhë.

PASHË NË LUIZANË NJË LIS JETË-GJATË QË RRITEJ

Pashë në Luizjanë një Lis jetë-gjatë që rritej,

Qëndronte fillikat i vetëm dhe myshku i varej nga degët,

Pa asnjë shok pranë, rritej dhe lëshonte gjethe të gëzueshme në ngjyrë të gjelbërt -të errët,

Dhe pamja e tij – i ashpër, i papërkulur, i epshëm – më bëri të mendoj për vehten,

Sepse çuditesha si kish mundur të lëshonte gjethe të gëzueshme tek qëndronte i vetëm,

Pa asnjë mik pranë, sepse e di se unë nuk do të mundja;

Dhe këputa një degëz të hollë me ca gjethe në të dhe e mbështolla me pak myshk,

Dhe e mora me vete, dhe e vura në dhomë në një vend të dukshëm;

Nuk kam nevojë që t’mi kujtojnë miqtë e mi të shtrenjtë

(Sepse besoj se kohëve të fundit për asgjë tjetër nuk mendoj më shumë se për ta);

E megjithat’ më mbetet një peng kureshtar, më bën të mendoj për dashurinë burrnore,

Per këtë dhe e shkoj ndërmend Lisin që jeton gjatë tek shkëlqen,

në një rrafsh të gjanë e të sheshtë,

Duke lëshuar gjethe të gëzueshme gjithë jetën e vet, pa mikun pranë a pa të dashurin pranë;

E di fort mirë se unë kurrë nuk do të mundja.

MENDIME

Për bindje, besnikëri dhe besim,

Bëj mënjanë dhe shoh diçka që më çudit aq shumë

Se si njerëzit u shkojnë pas atyre që nuk besojnë tek njerëzit!