Mbi përkthimin e një kryevepre të letërsisë botërore - Gazeta Express
string(52) "mbi-perkthimin-e-nje-kryevepre-te-letersise-boterore"

Mbi përkthimin e një kryevepre të letërsisë botërore

Gazeta Express

12/05/2020 12:07

Ka qenë një dëshirë e imja e kahershme për të parë se si janë përkthyer në shqip disa nga kryeveprat e letërsisë ruse, por që kanë edhe një vend të veçantë e të shquar në mbarë letërsinë botërore. Këtë herë po ndalemi te përkthimi në shqip i romanit “Krim dhe ndëshkim” të Fjodor Dostojevskit, botim i shtëpisë botuese “Fan Noli”. Vepra origjinale është përkthyer nga Mukades Mançe dhe është redaktuar nga Rexhep Hida.

Nga Theodhor Cico

Lexo Edhe:

Qysh në faqet e para të përkthimit vihet re prirja e përkthyeses për t’i rrotulluar në mendjen e saj gjërat, për t’i marrë me mend, kur duhej të përkthente gjithçka me besnikëri dhe kuptimi del vetë. Pra, nuk mund të përkthehet duke u marrë me mend se ç’ka dashur të thotë autori dhe pastaj të hidhen në letër fjalitë dhe frazat e tij.


Fjalët e autorit duheshin dhënë me besnikëri të madhe dhe, kuptohet, edhe me një mjeshtëri të lartë për tingëllimin e tyre sa më bukur në shqip. Kjo sepse bëhet fjalë jo për një vepër dosido, por për një prej veprave letrare më të famshme të të gjitha kohërave që, bashkë me romanin “Lufta dhe paqja” të Leon Tolstoit, bën pjesë në romanet ruse, të cilët hyjnë në fondin e artë të kësaj letërsie dhe të asaj botërore.

Qysh në fillim të përkthimit të romanit thuhet “Ishte fillimi i korrikut.” dhe vihet pikë. Pra ndërpritet mendimi i autorit, në një kohë që pika është në fund të paragrafit. Ndërpritet edhe një herë tjetër po ky paragraf me pikë, pra dy herë ndërpritet fraza, në vend që të vijonte ajo pa asnjë ndërprerje, siç e ka autori.

Me ç’të drejtë bëhet kjo?! Në fakt romani nis me fjalët “Në fillim të korrikut…”, pra nuk mund të fillonte kurrsesi një vepër e tillë me “Ishte…”, se nuk kemi të bëjmë me një libër me përralla. Pastaj përmenden në këtë paragraf të parë rruga “S” dhe ura “K”. Do të ishte mirë të jepeshin disa shpjegime, siç ndodh në shumë variante të përkthimit të kësaj vepre në gjuhët e tjera. Kjo ka rëndësinë e vet sidomos për lexuesin. Fjala vjen rruga “S” është rruga “Stoljarnij”, ku banonte Dostojevskij kur shkruajti “Krim dhe ndëshkim”, kurse ura “K” është ura “Kokushkin” mbi kanalin Jekatjerininskij (sot Gribojedov).

Kjo që ndodh qysh në paragrafin e parë të përkthimit, haset kudo në vepër. Pra, vihet pikë, kur nuk duhet dhe hiqet pika që ka vënë autori, kur ajo duhet, shtohen fjalë, se kështu i duket e arsyeshme përkthyeses (si “bën mu”, “nuk dinte si të vepronte” etj. etj.), kalohet në kryeradhë, kur në tekst nuk është kryeradhë (“Në dimër një i njohuri i tij student” f.73 etj.), në disa raste nuk mbyllen saktë fjalët në kllapa, ose harrohet vënia e kllapave, kur ato janë në origjinal, përmenden emrat e personazheve në vend të përemrave, me të cilët ata jepen në kontekste të ndryshme, duke menduar se lexuesi mund t’i ngatërrojë gjërat, kur jo vetëm s’është nevoja, por s’ke as të drejtë ta bësh këtë.

Ose fjalë me shkronja kursive të origjinalit nuk i gjejmë kështu në përkthim, pastaj bëhet edhe e kundërta, pra nënvizohen fjalë, kur s’janë të nënvizuara në roman (f.73 “çështjen” dhe “ngjarjes”). Pastaj, duke qenë se është prirja për të perifrazuar e komentuar atë që thuhet në veprën origjinale, hasim në përkthim (f.8): “…por puna është se…”. Ku ka në roman thënie të tilla?! Aty thjesht pohohet: “Por të ndalej në shkallë dhe të dëgjonte dokrrat…” etj. etj.

Për të ilustruar këto që thamë më lart, po analizojmë disa momente të përkthimit, ngaqë nuk mund të analizojmë të gjitha paragrafet e veprës së përkthyer.

F.49: “Letra e nënës i ra Raskolnikovit si bombë.” S’është nevoja të thotë Raskolnikovit, nuk e ka në tekst, ku thuhet “Письмо матери его измучило.” Pra atë e mundoi dhe jo i ra si bombë, se letrën Raskolnikovi e kishte lexuar tashmë dhe nuk është se po e lexonte tani, në këtë çast, prandaj kemi kohë të tjera të foljeve: “сомнений в нëм не было ни на минуту, даже в то время, как он читал письмо”, pra “dyshime në të nuk kishte për asnjë çast, madje as edhe në kohën kur ai e pat lexuar letrën.” Pra, mos iu largo tekstit, përkthe dhe kuptimi del vetë, se jemi duke përkthyer dhe jo duke komentuar a perifrazuar.

Vijon: “Kjo gjë duket sheshit, bën mu…” S’e ka fare këtë “bën mu”, pse e shton ?! Pastaj “duke u gëzuar me dashakeqësi për vendimin e tij.” Nuk është kështu, por “…duke u ngazëlluar si i tërbuar që përpara për suksesin e vendimit të tij.” Pra shton fjalë, kur nuk duhet dhe, nga ana tjetër, lë fjalë pa përkthyer. Në këtë paragraf (f.49) dhe në paragrafin vijues (f.50) kemi disa fjalë të theksuara, në kursiv, por që janë lënë pa u nënvizuar, si “shumë gjëra (много-то), “tani” (уже), tri herë pa u nënvizuar “duket” (кажется) dhe kllapat që duhen te fjalët “siç shkruan mamaja” nuk i vë, kurse kllapa e hapur te fjalët “që tani e ka kapitalin e vet” duhej të mbylleshin te fjala “frymëzuese”. Pastaj nuk duhej “më mikluese”, por “më solide” (солиднее). Në këtë paragraf gjejmë “si rinia e sotme” dhe madje në thonjëza, që nuk janë në tekst.

F.73-74: “Kohët e fundit Raskolnikovi ishte bërë ca bestyt (duhej bestytë). Këtu ka pikë, kurse përkthyesja e heq pikën dhe vijon. Mirëpo nuk i del e lidhur mirë fjalia, pasi në origjinal thuhet pas pikës: “Следы суеверия оставались в нëм ещë долго спустя, почти неизгладимо.” Pra “Gjurmët e bestytnisë do të mbeteshin edhe për një kohë të gjatë tek ai, thuajse në mënyrë të pashlyeshme.” Vijimi në përkthim, pas presjes, nuk shkon, se në fjalinë pararendëse nuk përmenden gjurmë. Lidhja bëhet me “bestytë”, pra “gjurmët e bestytnisë.” Pastaj autori thotë “do

të mbeteshin gjatë ose për një kohë të gjatë (долго) dhe nuk thotë “për gjithë jetën”. Këtë e shton përkthyesja. Pak më poshtë gjejmë “ngjarjes” në kursiv, që s’është ashtu, madje fjalia “që e kishin çuar atë drejt ngjarjes” nuk është fare në origjinal. Dhe më tej: “…i kishte folur Raskolnikovit për fajdexheshën Aliona Ivanovna.” Nuk është “fajdexheshën”, por “plakën” (старухи).

Prapë e përsërit “Për një farë (kjo “një farë” duhet bashkë “njëfarë”) kohe (në fakt është për shumë kohë, për një kohë të gjatë-долго) Raskolnikovi nuk shkoi te fajdexhesha…” Nuk thuhet në origjinal te fajdexhesha, por “долго он не ходил к ней”, pra “ai për një kohë të gjatë nuk shkonte (dhe jo “nuk shkoi”) tek ajo” dhe s’është nevoja të na thuhet “fajdexhesha”, sepse ne e dimë tashmë që plaka merrej me fajde. Vijon: “Një muaj e gjysmë më pas atij iu kujtua fajdexhesha…” Prapë “fajdexhesha”. Ç’do këtu fajdexhesha?! Në tekst thuhet thjesht “iu kujtua adresa” dhe nënkuptohet fajdexhesha, se për adresën është folur pak më parë. Dhe pa e vrarë mendjen përkthyesja shton: “…dhe vendosi të shkonte.” Ku e gjeti këtë?

Pse shton fjalë? Fjalët më pas “kur e pa fajdexheshën, që në shikimin e parë…” nuk janë kështu në tekst, ku pas pikëpresjes vijohet me fjalët “pasi e gjeti plakën (разыскав старуху), që në shikim të parë dhe jo “pa ditur asgjë për të”, por “pa ditur asgjë të veçantë (особенного) per të, ndjeu antipati, madje neveri…” Në fakt është: “ndaj saj ndjeu një neveritje të pakapërcyeshme (непреодолимое отвращение)”. Pra lë pa përkthyer nuanca që kanë rëndësinë e tyre.

Më tej: “…i zënë në mendime, që s’po e linin të qetë…” Ku janë këto? Në origjinal thjesht thuhet “задумался” (u zhyt në mendime) dhe ka pikë, të cilën përkthyesja nuk e vë, por vazhdon. E ndryshon fjalinë. Nuk thuhet në tekst “tamam si zogu që çukit vezën për të dalë…” Në origjinal është thënë: “Një mendim i çuditshëm po shfaqej në kokën e tij, si zogu i vogël që del nga veza (nuk ka “çukit”), dhe e kishte tërhequr shumë, jashtë mase atë”.

F.194: “Raskolnikovi eci drejt urës N.” Është: “…drejt urës …skij”, që është ura Voznjesenskij në kanalin Jekatjerininskij dhe nuk është ura N. Po në këtë faqe: “…ndihej aq i këputur, sa mezi u zvarrit deri këtu.” Nuk është “u zvarrit”, por “arriti” (добрался). Pastaj: “U përkul mbi parmakët e urës. Rrezet e përflakta të diellit, që po perëndonte, i jepnin ujit të lumit ca reflekse ngjyrë roze. Në ujë reflektoheshin dhe një grumbull ndërtesash, që shquheshin turbull në mugëtirën e mbrëmjes. Ngriti sytë dhe pa diku në largësi, në bregun e majtë të lumit, një dritare, që përflakej në rrezet e kuqe të diellit.” Përkthimi i këtij pasazhi tregon shumë për mënyrën se si përkthen përkthyesja.

Ky është një pasazh i tërë, kurse përkthyesja e ndërpret tri herë me pika dhe përkthen siç e kupton ajo, në mënyrë shpjegimore. Në fakt autori jep një frazë të pashkëputur përshkrimore: “Pasi u përkul mbi ujë, mekanikisht shikonte refleksin e fundit, rozë, të perëndimit, vargun e shtëpive që po errësoheshin në dendësimin e muzgut, një dritare të largët, diku në një papafingo, mbi bregun e majtë, që ndritte si të ishte e përflakur nga rrezja e fundit e diellit që e kishte goditur për një çast, shihte ujin gjithnjë е më të errët të kanalit dhe dukej sikur e vrojtonte atë me vëmendje.” Këtë ka thënë autori. Duke e ndërprerë rrjedhën e frazës me pika dhe duke e komentuar përshkrimin e bërë nga autori, humbet bukuria e këtij përshkrimi. Pastaj ndryshon edhe kuptimi i frazës, sepse nuk është se këtu thuhet “Rrezet e përflakta etj. etj.” në

përgjithësi, por në pasazh është dhënë si i shikon Raskolnikovi me sytë e tij ato çaste të perëndimit të diellit mbi urën Voznjesenskij në kanalin Jekatjerininskij. Rrjedhimisht deri diku del që ndryshe është shprehur autori dhe ndryshe e gjejmë në përkthim. Duke qenë se ka prirje të komentojë, lë edhe fjalë pa përkthyer që, natyrisht, shprehin nuanca të caktuara në kontekstin e dhënë, si “mekanikisht” (машинально), “papafingo” (мансарде) dhe, nga ana tjetër, shton fjalë: “Ia nguli përsëri shikimin valëzave të ujit.” Ku është thënë kjo më vete kështu?! Pastaj aty s’përmendet asnjëherë fjala “lumë”, në një kohë që në përkthimin e këtij pasazhi e gjejmë të përmendet dy herë. Është përmendur vetëm një herë kanali në fund të pasazhit, ku autori ka parasysh kanalin Jekatjerininskij. Në përkthim hasim “Në ujë reflektoheshin dhe një grumbull ndërtesash…” dhe “Ngriti sytë dhe pa diku në largësi…” Ku janë të shprehura këto në origjinal?! Pastaj është harruar “rrezja e fundit e diellit”?! Aty nuk ka “rrezet e kuqe të diellit.”

454: “Ndiqte me vemëndje çdo lëvizje të Sonjës,” Nuk është se Sonja po lëvizte dhe Raskolnikovi ndiqte lëvizjet e saj. Autori thotë thjesht: “Ai ia kishte ngulur sytë Sonjës.” Dhe këtu ka pikë. Me ç’të drejtë hiqet pika, vihet presje dhe vijon mendimi?! Vazhdon përkthimi: “Ajo e dinte, se shkaku pse dy damat e pispillosura nuk denjuan të vinin për drekë, ishte vetë ajo, Sonja.” Nuk ishte nevoja të theksohej e të përsëritej emri Sonja, sepse për të po flitet dhe lexuesi e ka të qartë. Pastaj më poshtë thuhet “dy damat e pispillosura”, kur janë dy damat që kishin ardhur “приезжие дамы”, pra nuk hyn fare këtu “e pispillosura”. Vërtet më poshtë thuhet për dy damat që ishin bishtpërdredhura, por këtu thuhet vetëm “që kishin ardhur”. Pastaj nuk është se dy damat nuk kishin denjuar të vinin, sepse ato ishin të pranishme, por ama ishin sjellur me shumë përçmim ndaj ftesës së Katerina Ivanovnës, prandaj kjo e fundit nuk po duronte sa të shpërthente dhe t’ua tregonte vendin këtyre dy damave. Më tej thuhet: “Si mund ta ulte të bijën pranë kësaj vajze të përdalë?” Ku është kjo “të përdalë”?! Aty thuhet thjesht “kësaj vajze” , e nënvizuar kjo nga autori. Vazhdon përkthimi: “Sonja kishte një parandjenjë, se në një mënyrë, apo në një tjetër Katerina Ivanovnës do t’i binin në vesh këto fjalë dhe fyerja…”. Nuk është se do t’i binin në vesh, por “i kishin rënë në vesh” (уже это известно).

Në f.463 thuhet: “Te dera zgjatën kokën dhe dy damat e pispillosura. (Nuk është pikë, por vijon fjalia) Nuk i kishin rezistuar dot kureshtjes të merrnin vesh, ç’po bëhej aty brenda.” Së pari, duhej “se ç’po bëhej aty brenda”, së dyti, mënyra e të thënit “Nuk i kishin rezistuar dot kureshtjes” nuk shkon bukur në shqip, por, veç kësaj, kjo nuk është fare në origjinal dhe është nga ato shtesat që bën përkthyesja, dhe, së treti, nuk është “të merrnin vesh, ç’po bëhej aty brenda”, por e gjithë periudha është: “Në derë, në atë çast, krahas Lebjezjatnikovit (këtë e harron fare), u dukën edhe disa persona të tjerë (edhe këtë e harron), ndër të cilët u duken edhe dy damat e ardhura ose mysafire (jo “e pispillosura”).

F.629: “ Jetonte me veten dhe brenda vetes së tij (ç’do të thotë kjo?!), ndiente krupë të shihte përreth.” Vazhdon përkthyesja me komentim. Në origjinal është: “Jetonte, si me shikimin poshtë: (këtu ka dy pika, që në përkthim nuk vihen) kishte neveri dhe s’duronte të shikonte drejt.” Pra, arsyen pse Raskolnikovi jetonte me shikimin poshtë autori e shpjegon duke vënë dy pika, që përkthyesja i heq dhe kalon me presje. Dhe këtu nuk është fjala “të shihte përreth” (kuturu, si të vrojtonte natyrën në përgjithësi), por për të parë këdo në sy, e ka për njerëzit. Nuk është “shokët e kampit i dukeshin si të ardhur nga një botë tjetër.” Së pari, këtu është hequr pika dhe kalohet me presje dhe, së dyti, nuk është “si të ardhur nga një botë tjetër”, por “Dukej sikur

ai dhe ata ishin të kombeve të ndryshme.” Vijon paragrafi: “I shihte të tjerët me dyshim dhe mosbesim, dhe ata po ashtu e shihnin.” Jo, është: “E shihnin njëri-tjetrin (s’është nevoja të thuash “dhe ata po ashtu e shihnin”) me dyshim dhe armiqësi.” Pra nuk është “mosbesim”, por “armiqësi” (неприязненно). Më tej: “ I dinte fare mirë (këtë “fare mirë” e shton përkthyesja nga ana e saj) dhe i kuptonte arsyet e kësaj ndarjeje (këtu ka pikëpresje dhe jo presje), por më parë nuk kishte lejuar që kjo ndarje të ishte kaq e thellë.” Jo, është: “por më parë nuk kishte lejuar kurrë (këtë “kurrë” e harron) që këto arsye (shkaqe dhe jo “ndarje) të ishin me të vërtetë (edhe këtë “me të vërtetë” e harron) kaq të thella dhe të forta (сильны)”. Pra autori nuk i drejtohet “ndarjes”, por arsyeve, shkaqeve. Vazhdon përkthimi: “Në kamp kishte edhe polakë, edhe të dënuar politikë.” Përkthyesja nuk e ka kuptuar si duhet, sepse është: “Në burg (dhe jo në kamp) kishte edhe disa polakë të internuar për krime politike.

Pra, nuk është se kishte edhe polakë, edhe të dënuar politikë. Vijon paragrafi: “Ata e mbanin veten më të madh, i quanin të tjerët injorantë dhe i përçmonin (këtu vë pikë, por është pikëpresje). Jo, është: “Ata thjesht i konsideronin gjithë këta njerëz injorantë e të pagdhendur (jo si thotë përkthyesja “e mbanin veten më të madh”) dhe me kryelartësi i përbuznin ata;” Dhe mbyllet paragrafi me fjalët: “Kishte edhe rusë, që i përbuznin të tjerët: (në origjinal nuk ka dy pika, por presje, vizë) ishte një ish oficer (duhej me vizë në mes ish-oficer) dhe dy seminaristë. (Këtu nuk ka pikë, por pikëpresje) Raskolnikovi e kuptonte, se ata e kishin gabim dhe nuk pajtohej me qëndrimin e tyre.” Në origjinal është thjesht: “Raskolnikovi e kuptonte mirë edhe gabimin e tyre.” Pra gjithë këtë tiradë “nuk pajtohej me qëndrimin e tyre” e shton përkthyesja nga xhepi i saj, se kështu i është dukur asaj e arsyeshme.

Lind pyetja: po redaktori ku ishte, që të bënte një konfrontim skrupuloz të veprës origjinale me përkthimin? Me sa duket konfrontimi ka qenë formal, “sa për të kaluar radhën”, se, veç këtyre pasaktësive, nuk kishte pse të kalonin edhe disa pasaktësi të karakterit gjuhësor dhe lapsuse si ato që vijojnë.

Qysh në fillim, kur përmendet titulli origjinal i veprës, hasim “Преступлениe и наказани”, kur duhej të ishte “наказание”. Kjo edhe në fund fare, ku jepet titulli origjinal me shkronja shqipe “Prestuplenie i nakazani”, duhej “nakazanie”. Pastaj mbiemri i shkrimtarit është Dostojevskij dhe jo Dostojevski. Në f.8,20,73,87 “nga që” duhej shkruar bashkë “ngaqë” , si lidhëz që është. Çuditërisht në f.76, 628 dhe 634 shkruhet mirë “ngaqë”. Në f.8 “kishin patur” dhe në f.626 “kishte patur”, kur duhej “pasur”, kurse një faqe më poshtë (627) është në rregull “pasur”. Në f.10 “Shërbenin tre-katër roje pallati.” Duhej “roja”, sepse kemi të bëjmë me rojtarët, pra rojë-a dhe shumës roja, rojat, kurse roj, roji është luzma e bletës që ka për shumës roje, rojet. Në f.11 “…kam qenë këtu tek ju…”, f.14 “mbaheshin tek njëri-tjetri” duhej “te”, në të dyja rastet, kurse në f. 12 “te këto vejushet”, f.13 “tek agjendari” dhe f.14 “u nis për te plaka” përdorimi i parafjalës është në rregull. Pra trajta “te” përdoret zakonisht kur fjala ndjekëse nis me bashkëtingëllore, kurse “tek”, kur fjala ndjekëse nis me zanore. Në f.11 “pa ia ndarë shikimin pyetës fytyrës së tij.” Absurditet, sepse po the “pa ia ndarë shikimin pyetës”, s’është nevoja të

shtosh “fytyrës së tij”, që është e tepërt. Në f.13 “s’mund ta le për fare” dhe në f.460 “…jam gati t’ju le dhe pak kohë”, duhej “lë”. Në f. 16: “ …po ndjente një nevojë të brendshme” duhej “ndiente”. Po në këtë faqe: “ …dhe ai trishtimi i zymtë një mujor” duhej bashkë “njëmujor”. Po në f.16: “…djali e ndërmendi disa herë…” Nuk ekziston folja “ndërmend”. Kemi vetëm ndërmend,i, pra si emër (krahinore), të menduarit për dikë, p.sh. Më ra ndërmendi i tij (m’u kujtua ai), si dhe foljen “ndërmendem” (vij në vete pasi kam humbur ndjenjat). Në këtë rast duhej thjesht “e kujtoi, e solli ndër mend…”. Në f.18 “ish student”, f.64 “7 vjeçar”, f.358 “herë herë”, f.430 “ish kujdestari”, f.631 “njëri tjetrin” dhe “shoku shokun”, “dita ditës” duheshin të gjitha më vizë në mes, por gjejmë edhe të kundërtën, pra vihet viza në mes, kur ajo nuk duhet, si në f.327 “së-dyti” dhe në f.461 “së-pari”. Në f.21 “fletë lavdërimi” duhej bashkë “fletëlavdërimi”. Ne f.21 “…dhe personaliteteve të tjerë ” duhej “të tjera”, sepse është rasti i disa emrave mashkullorë që në numrin shumës kërkojnë që mbiemrat përcaktues të tyre të vihen në trajtën e gjinisë femërore (artet e bukura, qytetet e mëdha). Në f.22 “Se s’kishte nga ja mbante”, duhej “t’ia mbante”. Në f.74 “mjaftonte t’ja vonoje një ditë paratë dhe t’a mbante për fare pengun.” Duhej “t’ia” vonoje dhe “ta” mbante… Në f.49 kllapa (që tani e ka kapitalin e tij) duhej të mbyllej pas fjalëve mikluese, frymëzuese. Po në këtë faqe fjalët “siç shkruan mamaja” janë në kllapa, por janë harruar. Pastaj “rinia e sotme” po në f.49 nuk është në thonjëza. Në f.50 “Zemërimi po i shtohej…” në origjinal nuk është kryeradhë dhe, e kundërta, në f. 628 “E mundonte gjithashtu mendimi” është kryeradhë. Në f.74 “Kjo i erdhi Raskolnikovit pak e çuditshme” duhej “iu duk” (показалось). Po në këtë faqe: “ Studenti po i tregonte oficerit lloj-lloj hollësish për këtë Aliona Ivanovnën.” Cilit oficer? Aty është shokut “товарищу”. Dhe nuk është “po e shtynte drejt ngasjes”, por “sikur dikush po ia bënte qejfin, ose po ia çonte dëshiren në vend.” Pastaj nuk është “po i tregonte”, por “papritmas fillon t’i përmend shokut…” (вдруг начинает сообщать товарищу…” Në f. 78, 88, 459, 460 “një fare” duhej shkruar bashkë, si përemër që është. Në f.80, 627 gjejmë trajtën “kish” të foljes, në një kohë që duhej përdorur trajta e plotë “kishte”, pra jo “kish pasur” e “kish bërë”, por “kishte pasur” dhe “kishte bërë”, sepse trajta e shkurtuar përdoret për arsye kryesisht të ritmit të ligjërimit, për çka s’ishte nevoja në kontekstet ku janë përdorur këto trajta të shkurtuara të foljes. Në f.81: “…për të bërë një dorë thashetheme”, do të ishte më e saktë “për t’u marrë pak me thashetheme.” Në f.359 “…po thoshte një mendim të fshehtë, që e ishte ushqyer e rritur brenda vetes…”, duhej “që e kishte ushqyer”. Në f.626 “duhet të pajtohej” e saktë është “duhej të pajtohej”. Në f.629 “…deshi t’i hidhej dha ta masakronte.” Duhej “dhe” ta masakronte. Në f.634 “…do t’i fliste pafund për ungjillin”. Këtu është ndajfolje dhe duhej veç “pa fund”. Po të jetë mbiemër, shkruhet bashkë i, e pafund etj.