Mbi detyrimet ndërkombëtare të vendit tonë - Gazeta Express
string(42) "mbi-detyrimet-nderkombetare-te-vendit-tone"

Lajme

Gazeta Express

27/09/2023 11:56

Mbi detyrimet ndërkombëtare të vendit tonë

Lajme

Gazeta Express

27/09/2023 11:56

Shkruan: Enver Hasani

I njohur si libri i parë që ka afirmuar gjuhën vernakulare angleze – e njohur si “MiddleEnglish” (anglishte e Mesjetës), që u krijua pas pushtimit norman të Anglisë dhe në kundërvënie ndaj gjuhëve të tjera – rëndësia e tij më shumë i përket mesazhit të urtësisë së njerëzve që bëjnë pelegrinazhet në territoret që sot i takojnë Britanisë së Madhe. Ky mesazh është përmbledhur aq bukur në një fjali të këtij shkrimtari anglez: “Kur njeriu i mirë e pa se si ishin gjërat, krejt në mënyrë të arsyeshme e zbatoi premtimin që lirshëm e kishte bërë më parë”.

Lexo Edhe:

Njeriu i mirë

Mbase punë sizifi i duket dikujt hapja e diskutimit për diçka që është prerogativë e një grupi të ngushtë profesionistësh dhe, brenda tyre, edhe e një grupi tjetër që akoma më shumë e ka për specializim të ngushtë një copëz të profesionit të përgjithshëm të drejtësisë. E kemi fjalën për juristin ndërkombëtar mesatar, atë lloj juristi që merret me interpretim e sqarim të domethënies së teksteve juridike, më saktësisht të marrëveshjeve ndërkombëtare që nuk e kanë formën e traktatit ndërkombëtar, në të cilat Kosova, vendi ynë i dashur, është zhytur deri në fyt dhe nuk di kah t’ia mbajë prej tyre, duke u futur në rrethin vicioz të akuzave e kundërakuzave politike reciproke ndërmjet politikanëve, artizanëve të profesionit të politikës, aq i përhapur ndër ne.

Këtë shkrim duam ta nisim me një thënie aq të bukur, sado që fjala e fundit në fillim, dhe mund të mos duket mirë për ata që nuk i pëlqejnë rreshtat në vijim, për çka ky autor fort nuk mërzitet. E kemi fjalën për veprën “The Canterbury Tales” [Tregimet e Kentërberit] të shkrimtari anglez Geoffrey Chaucer [Xhefri Çoser], shkruar në mes viteve 1387-1400, me fokus në prologun e veprës, meqë është e sigurt se i takon vetë autorit. I njohur si libri i parë që ka afirmuar gjuhën vernakulare angleze – e njohur si “Middle English” (anglishte e Mesjetës), që u krijua pas pushtimit norman të Anglisë dhe në kundërvënie ndaj gjuhëve të tjera –  rëndësia e tij më shumë i përket mesazhit të urtësisë së njerëzve që bëjnë pelegrinazhet në territoret që sot i takojnë Britanisë së Madhe. Ky mesazh është përmbledhur aq bukur në një fjali të këtij shkrimtari  anglez: “Kur njeriu i mirë e pa se si ishin gjërat, krejt në mënyrë të arsyeshme e zbatoi premtimin që lirshëm e kishte bërë më parë”.

Manipulimi me natyrën e detyrimeve të Kosovës

Ekzistojnë disa burime të së drejtës, siç quhen nga juristët. Njëjtë si burimi i ujit, ato janë vendi nga burojnë rregullat e sjelljes së shteteve dhe të subjekteve të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilat duhet të identifikohen nga të tjerët sepse ngërthejnë detyrime të saktësuara në pak rreshta të nenit 38 të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Nuk kemi ndërmend të identifikojmë burimet e tilla, duam të shkojmë përtej – diku larg në kohë, te vepra e Karl Strupp-it, juristit gjerman në mes të dy luftërave botërore, i cili më 1935 farkëtoi i pari termin “e drejtë e butë”. Të gjithë të tjerët e ndoqën më pas, duke përfshirë këtë autor. Ka pafund faqe, artikuj, libra e trajtesa të këtij koncepti, të cilat përciptazi do t’i rikujtojmë në vijim për hir të disa kolegëve të profesionit – për ata që paguhen nga taksat tona dhe ata që nuk paguhen – që dalin e na tregojnë se detyrimet e Kosovës nuk janë juridike, por politike dhe morale. Kjo sepse, sipas tyre, “Serbia nuk na ka pranuar si shtet” dhe “Gjykata Kushtetuese serbe nuk ka pranuar të shqyrtojë marrëveshjet tona me Serbinë meqë Kosova është pjesë e saj në Kushtetutën serbe”. Hajde argument, hajde ! Vërtetë këtë e thonë alamet juristë, vendorë e ndërkombëtarë! Këtë koncept të juristit gjerman, i pranuar botërisht sot, kemi ndërmend ta diskutojmë këtu shpejt e shpejt.

Duam ta bëjmë këtë për faktin e thjeshtë se zotimet që ka marrë Kosova i takojnë kësaj kategorie, pra kategorisë “e drejtë e butë”. Njihen me emrin “marrëveshje jo-traktat”, pra marrëveshje që nuk kanë formë të traktatit ndërkombëtar nga neni 38 i Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Edhe ato i lidhin  shtetet ndërmjet veti dhe me subjekte të tjera (siç janë organizatat ndërkombëtare, kryengritësit, rebelët etj.). Ndër shkaqet më të shpeshta të lidhjes së tyre është dëshira palëve që të shmangin procedurat formale të regjistrimit të tyre në OKB, që e kërkon ligji ndërkombëtar, por edhe inatet që shtetet mbajnë gjatë negocimit deri te marrëveshja, për arsye të ndryshme, siç janë prestigji, pengesat kushtetuese, raporti i forcave, lehtësimi i përgjegjësisë për shkeljen e të drejtës ndërkombëtare në rast të moszbatimit, nevoja për rritjen e masave të mirëbesimit mes palëve, nevoja për nxitje të zhvillimeve pozitive në vijim e sipër dhe kështu me radhë: pa fund arsye e shkaqe që sjell jeta. Në këtë grup të marrëveshjeve jo-traktat hyn edhe Marrëveshja e Brukselit/Ohrit që ka bërë Kosova sivjet, me të cilën janë përtërirë të gjitha marrëveshjet pararendëse, si zotime të vlefshme të vendit tonë. Kjo e fundit u mbivihet atyre në majë, duke krijuar një status të ri të autonomisë politiko-territoriale për serbët lokalë, kishat e manastiret e tyre dhe çdo objekt tjetër që për ta përfaqëson trashëgimi kulturore e historike. E tillë ka qenë dhe mbetet edhe Marrëveshja e Rambujesë. Të tilla janë mbi 5000 marrëveshje që kanë lidhur shtetet në mes veti, me organizata ndërkombëtare, me grupe kryengritësish e rebelësh, me entitete gjysmështetërore dhe subjekte të tjerë të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilat aq bukur i ka përshkruar Christine Bell [Kristine Bell] në veprën e saj “On the Law of Peace: Peace Agreements and the Lex Pacificatoria” (2008). Edhe ky libër gjendet i lirë për shkarkim nga interneti, për ata që duan të iluminohen tutje. Nga ky lloj zotimesh duhen dalluar marrëveshjet e njohura si “marrëveshjet xhentëlmene”, që bëhen me ngut e për arsye krejt kalimtare dhe aty-për aty. Edhe këtu, megjithatë, ekzistojnë dy përjashtime të vogla, por që nuk janë ndjekur më vonë – njëri i takon shek. 19-të dhe tjetri lidhet me Memorandumin e Moskës për Traktatin Shtetëror Austriak (1955).

Marrëveshja ndërkombëtare, si zotim, quhet e tillë edhe atëherë kur ajo përmban dispozita të mjegullta për zbatim, vështirë të zbatueshme dhe kështu me radhë. Të tjerët janë ata që interpretojnë. Fokusohen kryesisht në disa rregulla e parime standarde të interpretimit në të drejtën ndërkombëtare. Parimi i parë për interpretim, ndër të parët, është identifikimi i qëllimit të palëve, që në fakt vjen pas parimit të parë, që mbështetet në vetë tekstin e marrëveshjes (interpretimi tekstual). Kështu, ta zëmë, kur neni 5 i Traktatit të NATO-s thotë se palët ndërmarrin veprimet e tyre ashtu “siç i shohin të arsyeshme”, kjo nuk nënkupton asnjëherë që shtetet anëtare mund të bëjnë çfarë të duan dhe si të duan. Parimi i interpretimit, në të gjitha rastet, bazohet në vullnetin e mirë të palëve dhe ky standard nuk ndryshon. Kjo për faktin se ky vullnet është objekt vlerësimi dhe krejt i prekshëm, jo abstrakt, deri në fund i qasshëm për interpretuesit. Në rastin tonë, interpretues janë zyrtarët e Bashkimit Evropian, që formojnë ose do të formojnë grupin e përcaktuar në Marrëveshjen-jo traktat të Brukselit/Ohrit, që u definua në Ohër. Po e them këtë sa për të përndritur ata që eventualisht kanë ndonjë dyshim për këtë. Shumë marrëveshje të këtij lloji më pas janë bërë zotime të forta të palëve, siç ka qenë rasti me Gjermaninë pas unifikimit, kur mori përsipër vënien në jetë kundrejt Polonisë të standardeve të takimit të Kopenhagës për Dimensionin Njerëzor (1990). Edhe në drejtim të kundërt ekziston praktikë ndërkombëtare: në disa raste, shtetet palë kanë lidhur marrëveshje sipas Konventës së Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve (1969), por i kanë ikur zbatimit të nenit 102 të Kartës së OKB përmes përjashtimit të fazës së  regjistrimit  të tyre në Sekretariatin e OKB. I tillë ka qenë rasti me Aktin Final të Helsinkit (1975) ose me Marrëveshjen në mes NATO-s dhe Rusisë (1997). Në të dyja rastet, ndikimi tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare ka qenë kolosal. Ka plot raste të tjera, duke filluar nga Karta e Atlantikut (1941) e deri te Karta Parisit për Evropën e Re (1990) .

Dallimi ekziston, aty është, por ai nuk i jep të drejtë Kosovës në obstruksionin e saj të zotimeve të marra lirshëm

Ndarja në mes traktateve klasike ndërkombëtare dhe marrëveshjeve që nuk janë traktate ekziston, por kjo nuk nënkupton asnjëherë se zotimet e marra me rrugën e dytë kanë karakter ekstra-juridik. Këto të fundit, pra, nuk mund të shpërfillen njëanshëm nga palët, pa tërheqje të asnjë pasoje për obstruksionistët. Kjo shihet në faktin se marrëveshjet jo-traktate, në të drejtën dhe praktikën ndërkombëtare interpretohen nga dy kënde, ai subjektiv dhe këndi objektiv. I pari fokuson thjerrëzën në qëllimet e palëve, i dyti në rrethanat e rastit që krijohen nga veprimet e palëve, ndërveprimi i tyre dhe shenjat që lënë pas veprimet reale të palëve, të cilat mund të preken e maten sipas gjykimit objektiv të interpretuesit të tyre. Në grupin e këndit subjektiv të interpretimit hyn gjetja e asaj që njihet si vullneti mirë i palëve, sipas të cilit çdo detyrim duhet të realizohet “bona fide”. Në të dytin, në këndin objektiv hyn interpretimi bazuar në parimin e njohur nga romakët si “venire contra factum proprium” (“nuk mund dalësh kundër sjelljeve vetjake paraprake”). Në sistemin anglo-sakson kjo njihet si “estoppel”, mirëpo këtu nuk ka rëndësi shtjellimi i tij tutje. Ajo që duhet të shtjellohet lidhet me faktin se krejt beteja zhvillohet për përcaktimin e epërsisë së këtyre interpretimeve, që bazohen në këto dy këndvështrime, duke anuar përfundimisht kah ai subjektiv: nëse qëllimi i palëve përbën faktorin kyç me rastin e shprehjes së vullnetit të lirë për marrje përsipër dhe me vullnet të një zotimi, atëherë e drejta ndërkombëtare nuk bën asnjë pengesë që ai të ketë trajtën pak më formale të marrëveshjes jo-traktat, krejt me qëllim të shmangies së pengesave formale.

Asgjë nga rëndësia e peshës juridike të zotimit nuk humb, megjithatë, nga ky lloj angazhimi ndërkombëtar. Problemet që synojnë të evitojnë palët kanë të bëjnë edhe me pasojat e moszbatimit eventual të marrëveshjeve jo-traktate, në veçanti në raport me kompensimin në rast të moszbatimit të zotimit nga pala tjetër si dhe mundësia e vogël për implementim të tyre përmes procedurave standarde mbi zgjedhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, duke përfshirë përdorimin e sanksioneve ekonomike dhe të tjera, që quhen retorzion (kundërmasa) në të drejtën ndërkombëtare. Një tjetër parim, që është efekt refleksiv i dy parimeve si më sipër, është parimi “pacta sunt servanda” (“marrëveshja është ligj për palët”). Këtë e thonë shumica e kushtetutave të vendeve të Evropës, SHBA dhe gjetiu nëpër botë, duke përfshirë vendin tonë. Për t’u kthyer te epërsia, sërish mbizotëron këndvështrimi subjektiv: sapo të konstatohet shkalla e synuar e pajtimit në mes palëve në raport me qëllimet e tekstit të marrëveshjes jo-traktat,  çdo interpretim shkon kah ngritja e shkallës së zotimit në drejtim të puqjes me krejt pasojat që prodhon traktati sipas Konventës së Vjenës. Edhe këtu vlen rregulli se marrëveshja ose është e vlefshme sipas ligjit ndërkombëtar ose nuk ekziston si e tillë. Këtë dallim e bëjnë vetë palët, të cilat kujdesen kur shkëmbejnë pëlqimet e tyre të vullnetit; e përcaktojnë nëse ka ose jo marrëveshje mes tyre. Këtë qëllim të palëve e konstatojnë më pas të tjerët, ata që kanë qenë aty dhe kanë parë e dëgjuar, “njerëzit e mirë”, duke negociuar e duke u pajtuar. Në fazën e tratativave thyhen shtizat, aty vendoset nëse ka fuqi detyruese ose jo marrëveshja e lidhur. I tillë ka qenë rasti me rusët më 1997, kur bënë marrëveshjen me NATO-n. Këtë kuptim fleksibil të detyrimeve nga marrëveshjet ndërkombëtare, pa bërë dallimin mes tyre në aspekt të fuqisë dhe peshës juridike, e ka konfirmuar edhe vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në rastin “Gabčíkovo–Nagymaros”, në mes Hungarisë dhe Sllovakisë (1997). Përkundër faktit që bëhej fjalë për traktat klasik të regjistruar, këtu Gjykata refuzoi zbatimin e standardeve për tërheqje nga traktati dhe kompensim të dëmit palës së dëmtuar, duke u fokusuar në qëllimin dhe objektin e traktatit që synon ruajtjen e detyrimeve ekzistuese me qëllim të pengimit të dëmtimit të marrëdhënieve në mes palëve. Kjo nuk pritej nga Gjykata, por kur u bë të gjithë e mirëpritën dhe sot përbën një standard të mirë që flet për dallim mes dy llojeve të zotimeve, nga traktatet dhe nga marrëveshjet jo-traktate, por jo për t’u ikur zotimeve të marra por, përkundrazi, për t’i vënë ato në jetë ashtu siç janë projektuar në fillim me traktatin klasik. Thënë më fjalë të tjera, ajo që përcakton Konventa e Vjenës me vullnet të palëve, gjen shprehje edhe te marrëveshjet jo-traktat, me kusht që palët t’u përmbahen qëllimeve të shprehura lirshëm. Ndryshe, pasojnë sanksionet, si njëra prej formave të retorzionit (kundërmasave), të autorizuara nga e drejta ndërkombëtare. Zaten vetë sanksionet ekonomike kanë nisur si një “e drejtë e butë”, në Kongresin e Vjenës, siç e shpjegon diplomati njohur britanik Harlod Nicolson në “The Congress of Vienna” (1947): me to u godit Cari Aleksandri i Parë i Rusisë, i cili insistonte në vazhdimin e tregtisë me skllevër – që i kapte në lindje nëpër territoret otomane dhe të vendeve të tjera aziatike – këtij zakoni të shëmtuar që Evropa dhe Perëndimi dëshironin të braktiset njëherë e mirë.

Nga tërë kjo shihet qartë se zotimet që përmbajnë marrëveshjet jo-traktat nuk janë vetëm zotime politike e morale të shteteve, por detyrime që duhen parë e marrë me seriozitet e përkushtim. Kjo temë nuk është e re, ka lulëzuar në vitet ’70-të në kuadër të OSBE dhe OKB, në formë të rezolutave, deklaratave, akteve finale dhe kështu me radhë, me efekt të jashtëzakonshëm në zhvillimin e të drejtës ndërkombëtare siç e njohim sot. Nëse palët nuk duan traktat klasik, pra marrëveshje që normohet me Konventën e Vjenës, asnjëherë nuk kjo nuk nënkupton se marrëveshjet jo-traktat që diskutojmë janë zotime politike ose morale, që mund të injorohen apo të ndryshohen njëanshëm. I vetmi kufizim që kanë palët është se nuk guxojnë të hyjnë në marrëveshje që shkelin apo cenojnë normat që cilësohen si “jus cogens”, norma të detyrueshme nga zbatimi i të cilave nuk ka shmangie, siç janë marrëveshjet për të bërë krim lufte, gjenocid, skllavërim njerëzor, pirateri, torturë të njerëzve dhe kështu me radhë. Nuk diskutohet që palët janë të lira të zbatojnë dispozitat e Konventës së Vjenës, duke zbatuar me përpikëri nenin 2 (1) nën germën “a” të saj që çdoherë kërkon formën me shkrim që pasohet nga regjistrimi në Sekretariatin e OKB. Në mënyrë të njëjtë, shtetet janë të lira që njëanshëm të vendosin që marrëveshjen e lidhur në mes veti ta cilësojnë si traktat dhe të kalojnë procedurat e brendshme kushtetuese, ashtu siç e kanë  të përcaktuar me kushtetutën nacionale. Gjermania kështu e ka të normuar me kushtetutë, siç e ka edhe Kosova dhe jo pak vende të tjera, mirëpo me kusht që marrëveshjet të jenë lidhur në respektim të nenin 2 (1) nën germën “a” si më sipër. Në SHBA ka një praktikë të gjatë të lidhjes së marrëveshjeve që nuk janë traktate klasike, për t’i ikur detyrimit kushtetues që përfshinë ratifikimin e tyre në Senatin amerikan. Krejt esenca është te shprehja e vullnetit për të qenë i detyruar nga zotimi që merret përsipër lirshëm nga palët shtetërore ose palët e tjera që janë subjekte të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Shëmbëlltyra heroit Afrim Bunjaku si atribut i shtetësisë sonë

Nuk është obligimi për vënie në jetë të detyrimeve të marra atribut i shtetit, është pasojë e shtetësisë së tij, një domosdo kjo që shteti duhet ta kultivojë me fanatizëm. Çdo dobësim i tij çon kah braktisja me vullnetit e atributit nga i cili rrjedh kjo konsekuencë – pra, braktisje e pavarësisë së shtetit. Pikërisht marrja përsipër e detyrimeve ndërkombëtare është shenjë e pavarësisë, kur ato nuk merren në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar (siç janë dhuna, shtrëngimi, kërcënimi, korrupsioni etj., të kryera ndaj përfaqësuesit e shtetit). Askush më bukur këto dimensione nuk i ka shpjeguar se një tjetër britanik, James Crawford [Xhejms Kreford] , në librin e tij me afër një mijë faqe, i cili gjendet i lirë për shkarkim e lexim elektronik për ata që duan të përndriten në këtë sferë të ngushtë të shtetësisë në të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. E kemi fjalën për librin e tij “The Creation of States in International Law”, botuar nga Oxford University Press më 2007.

Mbesim fuqishëm të bindur se procesi i vënies në jetë të zotimeve të Kosovës po vazhdon, por ky pushtet aktual më ndryshe nga ata tjerët para tij. Këtë e kam cilësuar si “zbatim duke bërtitur”, ditë më parë në një shkrim timin me titull “Procesi i përshtatjes së një kryeministri” (KOHA, 20 shtator 2023). Nuk ka rëndësi fare në fund të fundit mënyra e zbatimit të zotimeve ndërkombëtare të vendit tonë, në qetësi ose duke bërtitur. Me rëndësi është që njeriu i mirë po duket qartë se e ka parë si ishin gjërat dhe krejt në mënyrë të arsyeshme po zbaton premtimin që lirshëm e ka marrë në Ohër muaj më parë. Gjithashtu nuk ka rëndësi nëse kjo bindje e tij u krijua nga dhuna e paparë që nga lufta, që mori formën e terrorit të paramilitarëve serb në veri të vendit, me tendencë të qartë për riciklim të dhunës në shkallë edhe më të gjerë. Ky terror Kosovës i dha edhe një hero në kohë paqeje – Afrim Bunjakun, nga bunjakët e Samadrexhës që aq shumë kanë rezistuar instalimin e komunizmit në Kosovë pas vrasjes së Shaban Polluzhës. I lehtë i qoftë dheu Afrimit! Qoftë heroi i fundit në rrethana të tilla !

Shteti nuk mbrohet me bishtnim të zotimeve të marra. Ai mbrohet duke kthyer zotimet në epërsi: në çdo paragraf e dispozitë të asaj që prodhohet në vijim të implementimit të zotimeve të marra në Ohër duhet të shpërfaqet dija e atyre që kanë marrë përsipër ato në emër dhe si barrë të Kosovës. Nuk fitohet asnjë përparësi duke bishtnuar zotimet; ajo fitohet vetëm duke u ballafaquar me to, çdo shtyrje tyre rritë çmimin e dëmit për vendin tonë.

(Autori ka qenë kryetar i parë Gjykatës Kushtetuese dhe është profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)