Mbi 35 palestinezë vriten duke kërkuar ushqim në Gazë - Gazeta Express
string(53) "mbi-35-palestineze-vriten-duke-kerkuar-ushqim-ne-gaze"

Lajme

Gazeta Express

06/08/2025 22:48

Mbi 35 palestinezë vriten duke kërkuar ushqim në Gazë

Lajme

Gazeta Express

06/08/2025 22:48

Të paktën 38 palestinezë janë vrarë të mërkurën në Rripin e Gazës derisa kërkonin ndihma në kamionët e Kombeve të Bashkuara dhe në qendrat e drejtuara nga një kontraktor amerikan i mbështetur nga Izraeli, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë.

Ushtria izraelite tha se ka shtënë me armë në mënyrë paralajmëruese kur turmat e njerëzve i ishte afruar forcave të saj.

Ndërkohë, 25 palestinezë të tjerë, përfshirë disa gra dhe fëmijë, u vranë nga sulmet ajrore izraelite, sipas spitaleve lokale në Gazë.

Ushtria deklaroi se objektivat e saj janë vetëm militantët e Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.

Vdekjet e fundit ndodhën në një kohë kur pritet që kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, të njoftoi për veprime të mëtejshme ushtarake – dhe mbase plane që Izraeli ta ripushtojë plotësisht Gazën.

Ekspertët thonë se ofensiva e vazhdueshme ushtarake dhe bllokada po e shtyjnë këtë territor prej rreth 2 milionë palestinezësh drejt urisë ekstreme. Një raport i ri i OKB-së thotë se vetëm 1.5% e tokës bujqësore të Gazës është e qasshme dhe e padëmtuar.

Një përshkallëzim tjetër i këtij konflikti, që nisi para 22 muajve, mund t’i rrezikojë jetët e panumërta të palestinezëve dhe rreth 20 pengjeve izraelite që mendohet se janë ende gjallë, si dhe do të haste në kundërshtime të ashpra ndërkombëtarisht dhe brenda vetë Izraelit.

Aleatët e Netanyahut nga koalicioni i ekstremit të djathtë prej kohësh kanë bërë thirrje për zgjerimin e luftës, si dhe për marrjen nën kontroll të Gazës, zhvendosjen e pjesës më të madhe të popullsisë dhe ndërtimin e vendbanimeve hebraike atje.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kur u pyet të martën nga një gazetar nëse mbështeste ripushtimin e Gazës, tha se nuk ishte në dijeni të këtij “sugjerimi”, por se “është në dorën e Izraelit”.

Militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1.200 njerëz, shumica civilë, në sulmin e 7 tetorit 2023 dhe morën peng 251 të tjerë. Shumica e pengjeve janë liruar përmes armëpushimeve ose marrëveshjeve të tjera. Nga rreth 50 që mbeten ende në Gazë, besohet se rreth 20 janë ende gjallë.

Lufta hakmarrëse e Izraelit ka vrarë mbi 61.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila nuk specifikon se sa prej tyre ishin luftëtarë apo civilë, por thotë se rreth gjysma ishin gra dhe fëmijë. /REL