Më shumë se 150 emigrantë janë shpëtuar pasi varka me të cilën po tentonin të kalonin Kanalin Anglez drejt Britanisë së Madhe u përfshi nga zjarri të martën në mëngjes, njoftuan autoritetet franceze.
Sipas prefekturës detare franceze, zjarri nisi nga motori i varkës. Gjithsej 157 persona u shpëtuan dhe po dërgohen në portin e Boulogne-sur-Mer. Nuk raportohet për të lënduar apo viktima.
Varka ishte nisur nga Franca të hënën në mbrëmje. Autoritetet thanë se disa persona fillimisht refuzuan ndihmën e ekipeve të shpëtimit, pasi synonin të arrinin në Mbretërinë e Bashkuar.
Mëngjesin e së martës, situata u përkeqësua kur struktura e varkës u dëmtua shpejt dhe ekipet franceze e britanike ndërhynë për shpëtim. Dy anije franceze shpëtuan 103 persona, ndërsa anijet britanike shpëtuan 54 të tjerë, shkruan BBC.