Mbi 100 nxënës dhe studentë, në kuadër të KEDS Academy, po ndjekin praktikën në KEDS, të shpërndarë nëpër departamente të ndryshme të kompanisë dhe në të gjitha distriktet e saj në Kosovë.
Studentët janë kryesisht nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Fakulteti i Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa nxënësit vijnë nga shkollat e Mesme Teknike anekënd Kosovës. Ata do të kenë mundësinë të ndjekin nga afër punën praktike në një nga kompanitë më të mëdha të energjisë në vend, duke u pajisur me njohuri konkrete teknike dhe organizative.
Drejtoresha e Departamentit për Cilësi, Siguri dhe Mjedis në KEDS, znj. Valbona Kadrijaj, thekson rëndësinë që ka kjo përvojë për të rinjtë. “Studentët dhe nxënësit tashmë kanë përfunduar programin e trajnimit, janë duke ndjekur praktikën profesionale dhe, pastaj, nga muaji shtator vazhdojnë programin e Internship. Me përfundim të programit, nxënësit dhe studentët do të certifikohen nga KEDS Academy dhe Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri (QEQ) në kuadër të Universitetit të Prishtinës. Kjo përvojë jo vetëm që i përgatit për tregun e punës, por i bën edhe pjesë të një sektori kritik për zhvillimin e vendit.”
Studentët janë mjaft të entuziazmuar!
Një prej pjesëmarrëseve në këtë edicion është edhe Rea Zogëjani, e cila është rritur në fshatin Grabovc, disa qindra metra larg minierës së qymyrit dhe vetëm disa kilometra nga termocentralet në Kastriot. Energjia elektrike ka qenë gjithmonë pjesë e jetës së saj.
“Paraprakisht, doja të studioja edukimin, por gjatë rrugës ndryshova mendim! E dija perspektivën e energjisë elektrike. Nuk do ta ktheja kohën pas, jam shumë e lumtur pse zgjodha këtë profesion” thotë Rea, tashmë pjesëtare e KEDS Academy. Ajo, së bashku me kolegët e saj, është duke e parë se si bëhen investimet në Rrjetin Elektrik nga KEDS. Pas këtij segmenti të rëndësishëm, ata do të shohin se si funksionojnë edhe sektorët e tjerë brenda kompanisë, duke e pasur një situatë të qartë të funksionimit praktik të një prej kompanive më të mëdha energjetike në vend.
Ky është sezoni i 12-të i KEDS Academy, një program që ka nisur menjëherë pas fillimit të operimit të kompanisë. Deri më tani, qindra të rinj që kanë kaluar nëpër këtë akademi janë punësuar në kompani, duke arritur edhe në pozita të larta menaxheriale.
KEDS Academy mbetet programi kryesor sa i përket edukimit në aspektin e Përgjegjësisë Shoqërore të Korporatës (CSR). Duke vepruar për shumë vjet, ky program ka krijuar një qëndrueshmëri, duke qenë unik dhe mjaft i suksesshëm.
aaaaa