Platforma Booking.com po përballet me një padi kolektive nga mbi 10,000 hotele evropiane, të cilat e akuzojnë gjigantin e rezervimeve se ka përdorur fuqinë për të manipuluar tregun në dëm të tyre përgjatë një periudhe 20-vjeçare.
Sipas The Guardian, Shoqata e Hoteleve, Restoranteve dhe Kafeneve në Evropë (Hotrec), e cila përfaqëson këtë industri brenda BE-së dhe po udhëheq padinë ligjore, e ka zgjatur afatin për pronarët e hoteleve për t’u bashkuar në proces deri më 29 gusht, për shkak të kërkesës së lartë.
Kjo padi, e cila pritet të jetë një nga më të mëdhatë që është ngritur ndonjëherë në sektorin evropian të mikpritjes, mbështetet gjithashtu nga 30 shoqata kombëtare të hotelerisë, përfshirë edhe atë të Britanisë.
“Deri tani, mbi 10,000 hotele janë bashkuar me këtë nismë pan-evropiane për të kërkuar kompensim për humbjet financiare të shkaktuara nga përdorimi i klauzolave të paligjshme të ‘çmimit më të mirë’ nga Booking.com,” thuhet në deklaratën e Hotrec.
Ndërsa, sipas padisë, kushti i “çmimit më të mirë” nga Booking.com u imponua mbi hotelet nën një presion të madh, duke i detyruar të mos ofronin dhoma me çmime më të ulëta në platforma të tjera – përfshirë edhe faqet e tyre zyrtare.
Ky procesi gjyqësor, për të cilin ekspertët thonë se do të jetë një betejë e vështirë, kërkon kompensim për periudhën nga viti 2004 deri në 2024, kur Booking.com e hoqi klauzolën e “çmimit më të mirë” për të përmbushur kërkesat e Aktit për Tregjet Digjitale të BE-së.