Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit ka trajtuar 1 mijë e 567 ankesa të konsumatorëve.
Sipas njoftimit, numri më i madh i ankesave ka të bëjë me problemet që lidhen me keq llogaritjet e orës në njehsorët elektrikë, garancionin dhe kthimin e mallit, mospërputhjen e çmimeve raft-arkë nëpër markete, me blerjet online dhe mosdorëzimin e produkteve sipas përshkrimit të ofruar, shkruan Reporteri.net.
“Volumi i lartë i ankesave nga konsumatorët, tregon se në një numër të konsiderueshëm rastesh operatorët ekonomikë nuk po i respektojnë në mënyrë të plotë dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe të drejtat e garantuara të qytetarëve si konsumatorë”, thuhet në njoftim.
Për këtë arsye, MINTI ka thënë se e konsideron të domosdoshme rritjen e mbikëqyrjes së tregut dhe ndërmarrjen e masave shtesë për ngritjen e nivelit të respektimit të të drejtave të konsumatorëve.
“Ankesat e pranuara janë trajtuar në bashkëpunim me institucionet kompetente, përfshirë Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë të Kosovës (AUVK), Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) dhe Autoritetin Rregullator të Shërbimeve të Ujit (ARRU), sipas kompetencave përkatëse.
MINTI mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe u bën thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të raportojnë çdo shkelje të mundshme përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në Viber, si dhe në adresën elektronike [email protected]”, thuhet në njoftim.