Bryan Mbeumo ka zbuluar detaje interesante pas fitores së Manchester United ndaj Tottenhamit, duke vlerësuar rolin e Jonny Evans në skemën nga goditja e këndit që çoi në golin e tij. Mbeumo hapi rezultatin në minutën e 34-të, pak pasi Cristian Romero u ndëshkua me karton të kuq direkt për një ndërhyrje të rrezikshme ndaj Casemiros.
Tottenhami e nisi mirë ndeshjen në Old Trafford, por përjashtimi i Romero-s i dha United një avantazh të madh. Pas ndeshjes, Mbeumo konfirmoi se ishte pikërisht Evans ai që i udhëzoi lojtarët për skemën speciale nga këndi.
“Ishte Jonny Evans ai që vinte tek unë dhe te djemtë për këtë skemë,” u shpreh sulmuesi.
Trajneri Michael Carrick theksoi gjithashtu rolin e analistit Kaita Hasegawa, i cili ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në përgatitjen e kësaj skeme gjatë stërvitjeve.
Mbeumo foli edhe për përmirësimin e skuadrës:
“Ne thjesht ndërtuam mbi atë që po bënim që nga fillimi. Punojmë së bashku, me mentalitet të fortë dhe nuk dorëzohemi kurrë.”
Kamerunasi falënderoi edhe tifozët e United:
“Është një klub i madh dhe tifozët janë të jashtëzakonshëm. Ne ndjejmë energjinë e tyre dhe duam t’i bëjmë të lumtur.”
Fitorja u vulos nga Bruno Fernandes dhjetë minuta para fundit. Me këtë triumf, Michael Carrick ka regjistruar katër fitore në katër ndeshje që nga emërimi i tij në pankinë.
Mbeumo konfirmoi se skema nga këndi ishte stërvitur më herët:
“E kishim provuar një herë dhe nuk funksionoi, por kjo ishte më e rëndësishmja.” /GazetaExpress