Kylian Mbappé ka munguar në të dyja ndeshjet e Real Madridit deri tani në Kupën e Botës për Klube, dhe mungesa e tij është ndjerë dukshëm në repartin ofensiv të Los Blancos, që ka hasur vështirësi në fazën sulmuese.
Sulmuesi francez u detyrua të qëndronte jashtë fushës për shkak të një virusi në stomak, dhe situata u përkeqësua aq shumë sa që përfundoi i shtruar në spital me diagnozën gastroenterit. Tashmë, ai është liruar nga spitali dhe i është kthyer stërvitjeve në Miami, megjithatë pamjet e publikuara në rrjetet sociale nga klubi kanë ngritur shqetësime serioze për gjendjen e tij fizike — Mbappé duket i rraskapitur dhe shumë i dobësuar.
Sipas një raporti të fundit nga MARCA, ka arsye reale për shqetësim. Rënia e dukshme në peshë dhe masë muskulore konsiderohet alarmante edhe nga stafi mjekësor i Real Madridit, i cili vlerëson se lojtari ka humbur rreth 4 deri në 5 kilogramë pas këtij episodi të rëndë shëndetësor.
Mbappé ka punuar sot në palestër dhe po përpiqet të rikuperohet sa më shpejt për të qenë gati për ndeshjen e radhës ndaj RB Salzburg. Megjithatë, duke marrë parasysh gjendjen e tij të dobët fizike dhe lodhjen e dukshme, trajneri Xabi Alonso pritet të mos e aktivizojë nga minuta e parë.
Është më e arsyeshme që Mbappé të kthehet në mënyrë graduale, dhe mundësia më reale është që ai të futet në lojë gjatë pjesës së dytë, në varësi të zhvillimit të ndeshjes.
Rikthimi nga një sëmundje e tillë rraskapitëse nuk është aspak i lehtë, por sapo të jetë plotësisht gati, Mbappé pritet të rikthejë vendin e tij titullar nga Gonzalo Garcia, i cili ka bërë paraqitje solide si zëvendësues. Me kthimin e tij, Real Madrid shpreson të rikthejë efikasitetin në repartin sulmues.
Sunny Hill Festival po afron dhe banka ProCredit, si sponsor gjeneral i festivalit, të sjell më afër skenës magjike...