Mbappe i ndjek hapat e Hazardit drejt Real Madridit


Gazeta Express
24 Janar 2020 13:47

Përderisa Kylian Mbappe vazhdon të flirtojë me Real Madridin, presidenti Florentino Perez do të qëndrojë mënjanë dhe ta lejojë vetë yllin e PSG-së ta marrë iniciativën për t’u larguar nga klubi francez.

Duke i shtyrë vazhdimisht bisedimet për rinovimin e kontratës me PSG-në, Kylian Mbappe i ka ushqyer shpresat e Real Madridit për transferimin e francezit, veçanërisht me deklaratat e fundit, transmeton Gazeta Express.

Pikërisht ky vendim i Mbappes për t’i shtyrë negociatat për rinovim me PSG-në i përshtatet në mënyrë të përsosur strategjisë së Real Madridit. Florentino Perez nuk do të bëjë asnjë ndërhyrje agresive dhe do t’i mbajë marrëdhëniet e mira me PSG-në.

Bordi drejtues i Real Madridit do të qëndrojë mënjanë dhe do ta lejojë Mbappen ta bëjë kërkesën për transferim në Madrid. Kjo taktikë ishte përdorur edhe për transferimin e Eden Hazardit nga Chelsea. Francezi tashmë është duke e bërë një gjë të tillë përmes deklaratave të tij për media.

Para se të transferohej në Paris Saint-Germain, Mbappe ishte përfolur shumë për një kalim në Real Madrid. Këto spekulime për shpërnguljen në Santiago Bernabeu nuk janë ndalur asnjëherë, që nga atëherë.

Përderisa 21-vjeçari insiston se ai nuk e ka në plan të largohet nga PSG-ja njëherë, duke shtuar se as klubit e as tij nuk i ndihmojnë spekulimet e vazhdueshme për të ardhmen e tij, ai ka sugjeruar se do ta vazhdojë karrierën me klube të mëdha. Këto deklarata dhe ato të trajnerit të Real Madridit, Zinedine Zidane, i kanë nxitur spekulimet për një transferim të mundshëm. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart