Çdo pushim i kombëtareve nxjerr në pah emra të rinj, përtej atyre të zakonshmëve. Franca, nën drejtimin e Didier Deschamps, mposhti Ukrainën në një ndeshje ku nuk shkëlqeu vetëm Kylian Mbappé, por edhe një tjetër lojtar tërhoqi vëmendjen: Michael Olise. Anësori i ri i Bayern Munich ka treguar një progres të jashtëzakonshëm dhe tashmë po cilësohet si një nga sulmuesit e ardhshëm më të mëdhenj në Evropë.
Gjatë grumbullimit me kombëtaren franceze, Mbappé thuhet se ka bërë shaka me bashkëlojtarin e tij, duke i kërkuar atij të firmosë për Real Madrid. Sipas DefensaCentral, kapiteni i Realit i ka thënë në formë shakaje: “Duhet të vish në Madrid”. Edhe pse skena u pa si një batutë, nuk kaloi pa u vënë re në Valdebebas.
Problemi qëndron tek fakti se drejtuesit sportivë të klubit madrilen kanë shumë pak hapësirë për manovrim. Pas mbërritjes së Mbappés këtë verë, ardhjes së Endrick dhe konsolidimit të talenteve të rinj si Gonzalo García, skuadra përballet me një situatë të mbingarkuar në ofensivë. Për më tepër, tashmë ka konkurrencë të fortë në krahun e majtë mes Vinícius Júnior dhe Rodrygo Goes, ndërsa rikthimi i Jude Bellingham mund ta shtyjë Xabi Alonson drejt një formacioni 4-4-2.
Në këtë kontekst, gjetja e hapësirës për një lojtar si Olise duket e vështirë, sidomos duke marrë parasysh se Bayern nuk ka asnjë synim për ta lënë të largohet. Me kontratë të vlefshme dhe me një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në Bundesligë, francezi shihet si një projekt strategjik nga bavarezët. Nxjerrja e tij nga Gjermania do të kërkonte një investim kolosal, shumë përtej prioriteteve aktuale të Real Madridit.
Realiteti tregon se Juni Calafat dhe ekipi i tij i skautëve kanë një listë të gjatë me talente të mundshme, por Olise nuk është në mesin e prioriteteve. Megjithatë, Mbappé këmbëngul se ai do të ishte një shtesë luksoze për të forcuar skuadrën. Mendimi i tij mbështetet edhe nga statistikat: anësori ka shkëlqyer prej muajsh dhe goli i tij ndaj Ukrainës në shtator e konfirmon si një nga lojtarët francezë më në formë.
Tifozët madrilenë e ndjekin situatën me kureshtje. Vetë prania e Mbappés tërheq talente dhe rrit pritshmëritë për përforcimet e ardhshme. Megjithatë, gjithçka tregon se Michael Olise do të vazhdojë të mbajë fanellën e Bayern Munich, të paktën në afat të shkurtër. Real Madrid duhet më parë të zgjidhë pasiguritë brenda skuadrës së vet dhe të vendosë për rolin e talenteve të rinj përpara se të nisë një operacion kaq të madh.
Është e qartë se Mbappé dëshiron të rrethojë veten me më të mirët, edhe nëse kërkesa e tij duket utopike. Por, nëse ka një gjë që e karakterizon klubin e bardhë, është fakti se në futboll asgjë nuk është e pamundur. Sot duket e paarritshme, por e ardhmja do të tregojë nëse Olise do të përfundojë duke përmbushur dëshirën e Kylianit./GazetaExpress/