Real Madrid u rikthye fuqishëm në Champions League me një fitore bindëse 5-0 ndaj Kairat Almaty, ku protagonist absolut ishte Kylian Mbappé me një tregolësh, duke arritur kuotën e 60 golave në kompeticionin më të madh evropian.
Megjithatë, francezi theksoi se kjo paraqitje në Kazakistan nuk e fshin atë që ndodhi në derbin e Madridit, ku skuadra e Xabi Alonsos pësoi humbjen e parë të sezonit kundër Atléticos.
Pas ndeshjes, Mbappé u shpreh qartë: “Nuk duhet ta harrojmë kurrë atë që ndodhi. Ky është një kompeticion tjetër, por duhet të vazhdojmë ta kemi në mendje fundjavën që kaloi, që të mos përsëritet më.”
Sulmuesi pranoi formën e tij të jashtëzakonshme, por vuri theksin te grupi: “Unë punoj për të ndihmuar ekipin. Nëse shënoj, aq më mirë, por edhe nëse jo, mundohem të jap kontributin tim ndryshe. Më e rëndësishme është të fitojmë ndeshje dhe trofe.”
Vetëkritika nuk mungoi. Edhe pse realizoi tre gola, Mbappé tha se duhet të kishte qenë edhe më i saktë: “Një lojtar si unë, kur ka pesë raste, duhet t’i shfrytëzojë të pesta. Për këtë më solli Real Madridi. Unë gjithmonë dua më shumë.”
Francezi vlerësoi gjithashtu marrëdhënien në fushë me Arda Güler, të cilin e përshkroi si “një lojtar të ri me shumë cilësi dhe talent.” Dyshja dha përsëri sinjale të shkëlqyera bashkëpunimi gjatë ndeshjes.
Në një moment, ai bëri edhe humor, duke komentuar pasimin e gjatë të Thibaut Courtois që u kthye në një nga golat e tij: “Nuk e di nëse e synoi me të vërtetë, por ishte një pasim fantastik. Ai bëri 80 përqind, unë vetëm 20,” – tha mes të qeshurash.
Me këtë hat-trick, Mbappé arriti në 60 gola në Champions, duke forcuar statusin si një nga yjet kryesorë të sezonit. Por fjalët e tij reflektonin kërkesë dhe ambicie: jo të kënaqej me lavdi individuale, por të udhëhiqte Real Madridin drejt trofeve.
Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për presionin që mbart klubi, francezi bëri të qartë se skuadra duhet të mbetet e fokusuar në çdo kompeticion. Fitorja në Azi sjell lehtësim pas zhgënjimit në “Metropolitano”, por sytë e Mbappé mbeten të përqendruar te sfidat e radhës./GazetaExpress/