Jo të gjithë të dënuarit me burg, privohen me të drejtë nga liria. E për këtë shkak, vetëm gjatë vitit 2019 janë dorëzuar 215 kërkesa për kompensim. Kompensimet po i kushtojnë buxhetit të shtetit, ndërsa Avokati i Popullit thotë se edhe kompensimi duhet të dalloj varësisht nga rasti.
Organet e drejtësisë jo çdo herë ndërmarrin veprimet e duhura ligjore.
Për tri vitet e fundit, janë mbi 10 mijë raste të vendimeve gjyqësore të cilat janë hedhur poshtë nga gjykatat e shkallës së dytë ose së tretë.
Brenda një viti, në Këshillin Gjyqësor të Kosovës janë paraqitur 215 kërkesa për kompensim për personat e dënuar apo të arrestuar pa bazë ligjore.
Nga këto kërkesa sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës janë kryer 198 pagesa për 168 persona.
E në total, buxhetit të shtetit dënimet pa bazë ligjore i kanë kushtuar afër gjysmë milion euro.
Ky kompensim, nga institucioni i Avokatit të Popullit po cilësohet si i padenjë.
Kreu i këtij institucioni, Hilmi Jashari thotë se është e padrejtë që vlera e kompensimit për secilin rast të jetë e njëjtë për secilën ditë.
Janë 25 persona që në vitin e kaluar kanë zgjedhur që rastet e tyre të trajtohen më tej në konteste civile.
Edhe në këto procedura të pastajme, Jashari thotë se ka shumë vonesa.
Edhe në Institutin e Kosovës për Drejtësi, pohojnë se është shkelje e të drejtave të njeriut që personat të mbahen në paraburgim e pastaj të shpallen të pafajshëm.
Ehat Miftaraj, nga ky Institut thotë se mungon ndëshkueshmëria për Prokurorët që ngritin aktakuza e të cilat hedhen poshtë nga gjykatat.
Ndërkohë, nga të gjitha rastet e aplikimeve për kompensim financiar, janë 14 kërkesa që janë refuzuar nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Ndryshe, sipas udhëzimit administrativ për zbatimin e procedurës së kompensimit të dëmit, personat e arrestuar pa arsye kompensohen me vlerën 9 euro në ditë.