Një 33-vjeçar nga Durrësi, Enea Zeqiri, u arrestua në flagrancë nga policia pasi dyshohet se mbajti me forcë në banesë një 15-vjeçare, duke mos e lejuar të largohej dhe duke ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj. Gjatë ndërhyrjes, policia i gjeti në banesë një armë zjarri pistoletë me silenciator dhe municion luftarak.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës dhe ato operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, pas njoftimit të marrë se një shtetas kishte mbajtur me forcë një 15-vjeçare, me të cilën dyshohet se kishte një marrëdhënie intime dhe nuk e lejonte të largohej nga banesa e tij, duke ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj, kanë ndërhyrë duke kapur në flagrancë dhe vënë në pranga shtetasin: E. Z., 33 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Durrës.
Gjatë ndërhyrjes dhe kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë i gjetën këtij shtetasi një armë zjarri pistoletë “Zastava” me silenciator dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, thuhet në njoftimin e policisë” – thuhet në njoftimin e policisë. /Lapsi.al