Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian kanë negociuar një partneritet të ri. Tani na duhet një lidership i Kosovës i gatshëm të marrë iniciativën dhe të punojë me ne.
Shkruan: Jonathan Hargreaves
Dje, liderët e Mbretërisë së Bashkuar (MB) dhe të Bashkimit Evropian (BE) mbajtën samitin e parë MB-BE në Londër. Ata ranë dakord për një partneritet strategjik të ri, që fokusohet në siguri, mbrojtje dhe bashkëpunim për zhvillim, duke i vendosur qytetarët në qendër të marrëdhënies sonë, duke forcuar ekonomitë tona duke mbrojtur planetin tonë dhe burimet e tij, si dhe duke avancuar interesat tona të ndërsjella në fushën e sigurisë së brendshme, bashkëpunimit gjyqësor dhe migrimit të parregullt.
Nuk është sekret se arritja në këtë pikë ka qenë sfidë e madhe politike. Populli britanik votoi për Brexit në vitin 2016, por është e qartë se ky vendim ka lënë pasoja në të dy anët – në Mbretërinë e Bashkuar dhe në BE. Qeveria britanike ka punuar shumë me partnerët evropianë për të gjetur kompromise, për të tejkaluar dallimet dhe për të arritur zgjidhje të pranueshme për çështje shumë të ndjeshme.
Vizita e sekretarit britanik për Punë të Jashtme, David Lammy, në Kosovë në prill theksoi edhe një herë ngrohtësinë dhe forcën e marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës. Sekretari kujtoi vizionin e ish-kryeministrit Tony Blair: që Kosova të jetë në gjendje të përcaktojë vetë të ardhmen e saj, të jetojë në paqe me fqinjët dhe të mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve që jetojnë këtu.
Ai gjithashtu bëri thirrje për vendosmëri nga liderët politikë të Kosovës, përgjatë gjithë spektrit politik. Kosova ka nevojë për një urgjence të re politike, për të marrë iniciativën dhe për të shmangur që e ardhmja të i përcaktohet nga veprimet e të tjerëve. Ashtu si po ndodh me marrëdhënien e re Mbretëri e Bashkuar – BE, ai inkurajoi Kosovën të ofrojë pragmatizëm, dhe jo pozicione puriste.
Disa vende të Ballkanit Perëndimor po shënojnë përparim të mirë drejt hyrjes në BE. Nëse materializohen hapa konkretë drejt paqes në Ukrainë, mund të përshpejtohet edhe progresi drejt anëtarësimit në BE. Mbretëria e Bashkuar gjithashtu do të donte ta shihte Kosovën në NATO – atëherë kur forcat dhe mekanizmat e saj të mbikëqyrjes të përmbushin standardet përkatëse. Në mënyrë që të arrihen këto qëllime, Kosova do të ketë nevojë për diplomaci të shkëlqyer aktive – përfshirë marrjen e vendimeve të vështira – për të arritur këto dy qëllime, duhet filluar me hapa të rinj përpara në procesin e normalizimit me Serbinë.
Kosova duhet të jetë e gatshme të avancojë interesat e saj. Ne në Mbretërinë e Bashkuar e duam Kosovën pjesë të Këshillit të Evropës. Anëtarësimi i Kosovës mund të votohet në çdo moment – kur Kosova ta ketë kryer punën e vështirë për të bindur shtetet anëtare se korniza e saj ligjore mbresëlënëse mbështetet nga një qëllim i vërtetë për të mbrojtur komunitetet joshumicë.
Veprimet e javëve të fundit në veri të Kosovës u kanë mohuar fëmijëve dhe qytetarëve të zakonshëm nga komuniteti serb në Kosovë qasjen paqësore në shërbime të përditshme, si klubet sportive. Këto veprime minojnë pretendimin e Kosovës se të gjithë qytetarët e saj – pa dallim etnie, gjinie apo përkatësie – janë të mirëpritur dhe të lirë të përfaqësohen, të mbrohen dhe të fuqizohen në Republikën e Kosovës.
Në vjeshtë, Mbretëria e Bashkuar do të jetë mikpritëse e Samitit të Procesit të Berlinit në Londër. Ky samit do të bashkojë liderët nga i gjithë rajoni për të avancuar qëllime të përbashkëta: rritje ekonomike, bashkëpunim rajonal dhe progres drejt integrimit evropian. E dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, po udhëheq përgatitjet për këtë ngjarje të rëndësishme, dhe po punojmë ngushtë me Kosovën dhe partnerët e tjerë për të siguruar që ky samit të sjellë rezultate konkrete.
Ballkani Perëndimor është një rajon me potencial të madh – por gjithashtu përballet me sfida reale. Tensionet etnike po ndizen nga retorika përçarëse dhe nga veprimet e aktorëve të jashtëm. Rrjetet kriminale po shfrytëzojnë paqëndrueshmërinë për të nxitur migrimin e parregullt. Korrupsioni vazhdon të minojë sundimin e ligjit. Ndërsa dhuna me bazë gjinore mbetet shkelje e rëndë dhe e përhapur e të drejtave të njeriut. Këto sfida rrezikojnë paqen dhe progresin për të cilat shumë kanë punuar me përkushtim.
Kosova ka një rol kyç në trajtimin e këtyre sfidave – dhe në formësimin e së ardhmes së rajonit. Por për ta bërë këtë, duhet të jetë politikisht e përgatitur. Kjo është kohë për lidership. Qytetarët e Kosovës meritojnë një qeveri që vepron me vendosmëri në interes të tyre, që i përfaqëson ata në arenën ndërkombëtare dhe që i shtyn përpara reformat që i duhen për integrimin euroatlantik.
Këtë javë, Kosova do të mirëpresë përfaqësuesen e lartë të BE-së, znj. Kaja Kallas, dhe përfaqësuesin e posaçëm, z. Peter Sorensen. Marrëdhënia e re Mbretëri e Bashkuar-BE nënkupton se të dyja palët do të punojnë më ngushtë se kurrë më parë për të mbështetur progresin që sjell përfitime reale për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë.
Në këtë moment vendimtar, Kosova vazhdon të jetë pa parlament dhe pa qeveri funksionale. Ne i bëjmë thirrje lidershipit politik të Kosovës që të bashkohet, të formojë sa më shpejt kuvendin dhe qeverinë e re, dhe të fokusohet në prioritetet që kanë më shumë rëndësi për qytetarët: mundësitë ekonomike, përfshirjen sociale, dhe stabilitetin rajonal.
Autori është Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë. Shkrimi i është dërguar Gazetës Express për botim.