NASA ka humbur kontaktin me një anije kozmike që ka qenë në orbitë rreth Marsit për më shumë se dhjetë vjet.
Agjencia hapësinore ka komunikuar për herë të fundit me sondën MAVEN (Mars Atmosphere and Volatile Evolution) më 6 dhjetor, teksa ajo kalonte pas planetit të Kuq.
Por kur MAVEN doli nga ana e errët e Marsit, të gjitha komunikimet me stacionet tokësore ishin ndalur.
Sipas të dhënave të fundit të NASA-s, të gjitha sistemet e sondës funksiononin normalisht para se ajo të zhdukej pas planetit, si pjesë e orbitës së zakonshme.
Shkencëtarët ende nuk e dinë çfarë e shkaktoi humbjen e kontaktit dhe nuk është e qartë nëse anija kozmike mund të rikthehet online.
Nëse MAVEN nuk arrin të rikthejë komunikimin me Tokën, kjo mund të jetë fundi i mbi 10 viteve të hulumtimeve esenciale shkencore rreth Marsit.
NASA njoftoi:
“Ekipet e operacioneve dhe ato të anijes kozmike po hetojnë anomalinë për të adresuar situatën. Më shumë informacione do të ndahen sapo të jenë të disponueshme.”
Një mision kyç që prej vitit 2014
MAVEN u nis nga Toka më 2013 dhe hyri në orbitën e Marsit më 21 shtator 2014.
Sonda 800-kilogramëshe është e pajisur me tetë instrumente të specializuara për të mbledhur imazhe dhe të dhëna në spektrin ultraviolet.

Qëllimi i misionit ishte studimi i atmosferës së sipërme të Marsit, ndërveprimi i saj me Diellin dhe zbulimi i mekanizmave përmes të cilëve planeti humbi atmosferën.
Shkencëtarët besojnë se Marsi dikur ka qenë një botë e ngrohtë dhe e lagësht, me lumenj dhe detra të ngjashëm me Tokën.
Por atmosfera e tij u zhduk gradualisht gjatë miliona viteve, duke e lënë pas një shkretëtirë të ftohtë dhe të thatë.
MAVEN ka qenë thelbësor në zbulimin e mënyrës se si uji i Marsit ka humbur në hapësirë – i ngritur lart në atmosferë nga stuhitë e pluhurit dhe më pas i shpërndarë nga era diellore.
Sonda ka hartuar gjithashtu erërat marsiane, ka kategorizuar retë dhe madje ka zbuluar një “bisht” magnetik të padukshëm rreth planetit.
Takimi me një objekt ndëryjor dhe imazhet e rralla
Së fundmi, NASA e përdori pajisjet e MAVEN-it në një mënyrë të paparashikuar, gjatë kalimit të objektit ndëryjor 3I/ATLAS pranë Marsit.
Për 10 ditë, duke filluar nga 27 shtatori, sonda përdori kamerën e saj UVIS për të krijuar imazhe unike të kometës.
Edhe pse jo me rezolucion të lartë si fotografitë me dritë të dukshme nga teleskopët tokësorë, këto imazhe ishin shumë më të vlefshme shkencërisht.
Duke analizuar gjatësitë valore të dritës që burojnë nga “komë” e gazit rreth kometës, shkencëtarët kanë mundur të studiojnë përbërjen e saj kimike – një hap drejt zbulimit të origjinës së objektit në një sistem tjetër diellor miliarda vite larg.
Por zhdukja e papritur e MAVEN-it pas këtij takimi ka ndezur teori të çuditshme konspirative online.

Një përdorues në X shkroi:
“Mund të ketë shumë arsye, përfshirë ndërhyrjen e një anijeje të huaj për të ndaluar NASA-n të mbledhë më shumë informacione.”
Një tjetër komentoi:
“3I/ATLAS e mori.”
Ndërsa një tjetër shtoi:
“Alienët morën edhe një.”
Humbja e sondës mund të ndikojë edhe në roverët e Marsit
Përveç kërkimeve shkencore, MAVEN ka qenë një nyje e rëndësishme komunikimi për roverët në sipërfaqe – Curiosity dhe Perseverance – duke relaysuar të dhënat e tyre drejt Tokës.
Me MAVEN jashtë funksioni, mund të ketë vonesa dhe ndërprerje në dërgimin e të dhënave nga Marsi.
Kjo e bën urgjente që NASA të kuptojë çfarë shkoi keq dhe të sigurojë që një situatë e tillë të mos përsëritet me orbiterët e tjerë.
Aktualisht, me MAVEN të padisponueshëm, NASA ka vetëm dy anije kozmike aktive në orbitën marsiane:
Mars Reconnaissance Orbiter (2005)
Mars Odyssey (2001)
MAVEN – Të dhënat kryesore të misionit
Lançimi: 18 nëntor 2013
Vendnisja: Cape Canaveral, Florida
Hyrja në orbitën e Marsit: 21 shtator 2014
Përmasat:
Gjatësia: 11.4 m
Gjerësia: 2.29 m
Lartësia: 3.47 m
Pesha në Tokë: 809 kg
Instrumentet: 8 pajisje shkencore për studime në spektrin ultraviolet
Objektivi: Matja e shkallës së humbjes së atmosferës së Marsit dhe rikonstruktimi historik i procesit
Statusi aktual: Nuk përgjigjet
/GazetaExpress/
Në Reisebüro Prishtina, ne jemi këtu për t’ju bërë çdo udhëtim të thjeshtë, të sigurt. Me përvojë shumëvjeçare dhe...