Gazetari dhe publicisti kosovar, Halil Matoshi, ka shkruar sot për një video që është publikuar në rrjete sociale e që është përdorur për ta sulmuar atë. Sipas Matoshit, atë video e kishin plasur në internet si një pamje “sekrete”, dhe e kishin përdorur për ta sulmuar me pretendimin se aty Halil Matoshi shihet duke biseduar me “paramilitarë serbë”, shkruan Gazeta Express.
Matoshi ka sqaruar se ajo video e shkëputur është pjesë e një dokumentari të regjisorit slloven, Iztok Tory, të cilin e kishte bërë për Kosovën dhe jetën nën terror të shqiptarëve të Kosovës.
Siç tregon Matoshi, video është e vitit 1989 ku ishte bërë një protestë kundër orës policore, dhe protagonistë në atë video janë poeti Mirko Gashi, Astrit Salihu dhe Migjen Kelmendi, duke folur për televizionin slloven dhe për dokumentarin e Iztok Toryt.
Për këtë fushatë linçimi përdorimin e një, Matoshi bën përgjegjës militantët e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Entuziast t’padijshëm e shpirta t’keq, tue paraqitë dokumentarin e Tory-t si dosje ‘sekret’ demek si shkas me i gozhdu shqiptarët, e këputen naj copë nga ky dokumentar i shfaqun nga TV slloven po më 1989 dhe ua hodhen si asht militantave rrugaçë e t’pa ftyrë të Lëvizjes Vetëvendosje, me mbishkrimin: “Halil Matoshi tue folë me paramilitarë serbë gjatë Luftës së Kosovës!?””, ka shkruar Matoshi.
Publicisti dhe gazetari Matoshi ka treguar se Iztok Tory është pikërisht regjisori slloven, i cili ka vdekur sot e për të cilin kryeministri Albin Kurti ka shkruar i mërzitur dhe ka treguar për punën e tij në raport me Kosovën.
Matoshi thotë se mbase Kurti ka përkujtuar Iztok Toryn me rastin e vdekjes, por shton se Kurti s’ka kërkuar falje për personazhet e dokumentarit që u denigruan me vite duke përdorur ato pamje.
Postimi i plotë i Halil Matoshit:
Militantat e tij e shihnin si “paramilitar serb” – Kurti e madhnon Iztok Tory-n!?
1.
Më 1989 në nji protesë kundër orës policore, unë, poeti Mirjo Gashi, Astrit Salihu, Migjen Kelmendi e tjerë folëm për televizioni slloven në dokumentarin e Iztok Tory-t për Kosovën dhe jetën nën terror.
Tory paska ikë n’amshim.
Tory e ka transmetu të vërtetën për Kosovën.
Falemnerës!
2.
Entuziast t’padijshëm e shpirta t’keq, tue paraqitë dokumentarin e Tory-t si dosje ‘sekret’ demek si shkas me i gozhdu shqiptarët, e këputen naj copë nga ky dokumentar i shfaqun nga TV slloven po më 1989 dhe ua hodhen si asht militantave rrugaçë e t’pa ftyrë të Lëvizjes Vetëvendosje, me mbishkrimin: “Halil Matoshi tue folë me paramilitarë serbë gjatë Luftës së Kosovës!?”
Për me i dëshmu Albinit besnikni!?
3.
Shanë e pshtynë rreth pesë vjet.
Ashtu qysh edhe i do kjo Lëvizje, t’paftyrë, e tash Iztok Tory paska dekë dhe Kryeministri Albin Kurti e paska kujtu me elozhe, sllovenin dhe mirë ka bâ, por kurrë nuk u tha ndal militantave të tij (anëtarë e votues) që shpërndanë sekuenca në Tik-tok-un kinez, nga filmi dokumentar i Tory-t, me shamje kundër meje, pa e kuptu as gjuhën sëkëndejmi as për çka fitej aty!?
Mija shqiptarë ligana e flliqana më shanë e denigruen, tue u shndrru në vegla qorre t’pushtetit, e sot, lideri i tyne, Kurti e paska kja me lotë Iztokun tue madhnu filmin e tina ku jemi personazhe unë dhe disa miq të mi.
Dhe mirë ka bâ që e ka kujtu Tory-n, por Kryeministri harroi me na kërku falje neve që njerëzit e tina na denigruen me vite, tue përdor piknisht pamje nga Dokumentari i TV slloven!
4.
Për nji Kryeministër që thur laudatio për të huej, që nga Salvador Alende, e për serbët Djindjić, Ivanović e deri tek slloveni Iztok Tory dhe shanë e pshtynë njerëzit e Kosovës, (personazhe të Dokumentarit të Tory-t e veçmas gazetarët!?) çka me thânë?
Fale zo’ se e bân nga padija dhe lakmia për fuqi.
Por me i ba njerëzit me vuejt tue ua hedhë në qafë zagartë nga ktu e deri në Amerikë, e tana kjo herdokur ka me kërku përgjegje!
Nashta Albin Kurti do të kujtohet nji ditë se ekziston nji aht, nji diçka që quhet ‘KARMA’!?
Lexo në këtë vegëz përkujtimin nga Albin Kurti:
Një “screenshot” nga një prej videove të shpërndara në rrjet ku shkruhet “Halil patrioti midis paramiltarëve serb midis prishtines gjate luftes”.