Matoshi për Express: Kurtit po i kërkohet shamia në këmbim të votës për martesat e gjinisë së njëjtë - Gazeta Express
string(99) "matoshi-per-express-kurtit-po-i-kerkohet-shamia-ne-kembim-te-votes-per-martesat-e-gjinise-se-njejte"

Matoshi për Express: Kurtit po i kërkohet shamia në këmbim të votës për martesat e gjinisë së njëjtë

Lajme

Gazeta Express

12/08/2022 18:36

Gazetari Halil Matoshi, në një intervistë për Gazetën Express, ka folur rreth njërës prej temave më aktuale në vend – debatit për shaminë, që u imponua në diskurs publik nga rrjetet sociale. Ai vlerëson se gjithçka është inicuar nga qarqe ekstremiste që duan të shtyjnë para agjenda proislame. Në këtë situatë, sipas Matoshit, deputetët me bindje fetare brenda VV’së po ia kërkojnë Kurtit “shaminë për të miturat në shkolla”, në këmbim të Kodit Civil, ku përfshihen martesat e gjinisë së njëjtë.  Por, sipas tij, urdhri administrativ nuk do të shfuqizohet menjëherë.

Gazeta Express: Ka nisur një debat në rrjetet sociale për dhe kundër shamisë në shkolla. Qeverisë Kurti po i kërkohet të marrë një vendim që lejon këtë simbol fetar në shkollat laike. Sipas jush çfarë duhet të bëjë Kryeministri?

Lexo Edhe:

H. Matoshi: Kryeministri së pari duhet të kujtohet se ekziston një verdikt i Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. KI36/11 që i ka rrëzuar pretendimet e qytetares Arjeta Halimi kundër shtetit, si të pabaza, duke vendosur në favor të NDALIMIT të shamisë për moshat shkollore (deri 18 vjeç); Prandaj, me qëllim propozon moshën 16-vjeçare si prag kur mund të lejohet shamia, por, i vetëdijshëm se Kushtetuta (verdikti në Rastin Nr. KI36/11, që e kufizon këtë, ai i krijon vetës hapësirë manovrimi, sikur për deklaratën politike për bashkim kombëtar: “Kushtetuta nuk e lejon”!!! Kryeministri së dyti, duhet të mendojë për Ligjin mbi bashkësitë fetare që është një nga kushtet për anëtarësim në Këshillin e Europës dhe që rregullon raportin e shtetit me fetë duke garantuar funksionimin e tyre ligjor, pra rregullimin me ligj të kufizimit eventual të të drejtave dhe lirive, përkatësisht manifestimit të fesë në jetën publike. 

 Gazeta Express: A jeni te habitur që një kërkesë në Facebook, nuk e dimë sa është numri i atyre që lobuan, arriti të imponohet si temë sa të shprehet Kryeministri për të?

H. Matoshi: Kosova e ka një demokraci lehtë të cenueshme, një shkollë të ligshtë dhe struktura të brishta të sigurisë dhe media ndonjëherë në “gjah” pas ndjekësve, prodhon lajme sipas agjendave ideologjike, si kjo e islamit politik, që në Kosovë përdor sentimentin fetar për ndryshime graduale të sistemit politik nga demokracia në teokraci dhe të vetë karakterit të shtetit sekular. Dhe të mos harrohet fakti se klasa politike (shumica në pushtet) ka flirtuar së paku një dekadë me fanatikët islamistë në “gjah” për vota.

Gazeta Express: Kurti deklaroi se qëndrimi i tij është se mund të lejohet shamia mbi moshën 16 vjeçare. A po i nënshtrohet këtij presioni publik që po i bëhet apo kjo është edhe një populizëm i tij dhe mirëmbajtjen e elektoratit të tij?

H. Matoshi: Duke u nisë nga një deklaratë e Albin Kurtit (2019) kur ishte në opozitë e që propagandonte në favor të bartjes së shamisë (pa e saktësuar moshën) si një e drejtë themelore, fanatikë fetarë duan ta zënë ngushtë kryeministrin, i cili, në thelb, nuk manifeston ndonjë fetarizëm ritualist, por kalkulon për vota. Mosha madhore? Cila është kjo? Nëse e drejta e votës si e drejtë civile (politike) fitohet në moshën 18-vjeçe, atëherë ky duhet të jetë pragu kur individi mund të zgjedhë lirshëm. Kryeministri Kurti duhet të dijë se Kosova është demokraci kushtetuese dhe shtet laik (Neni 8) pra neutral ndaj feve dhe se feja është çështje private, e ndarë nga feja, por që garanton lirinë e besimit. Së këndejmi, shkolla kosovare duhet ta garantojë këtë neutralitet.

Gazeta Express: Që prej themelimit të shkollave në gjuhën shqipe, në themelin e tyre është propaguar esenca shqiptare, vlerat kombëtare. Kërkesën për shaminë shumëkush e sheh si agjendë të islamit politik që e përçon një pjesë e shoqërisë kosovare. A pajtoheni me këtë?

H. Matoshi: Po, karakteri i shkollës shqipe përket në iluminizmin si vlerë perëndimore dhe ka karakter sekularist dhe kombtarist dhe këtë e vë në dukje edhe gjyqësia kushtetuese në rastin Nr. KI36/11. Në verdiktin e Gjykatës Kushtetuese mbrohet parimi i barazisë dhe shteti duhet të mbrojë individët jo vetëm përballë ndërhyrjeve arbitrare nga vetë shteti, por edhe nga presionet e jashtme të lëvizjeve ekstremiste dhe që liria për manifestim të fesë mund të kufizohet me qëllim të mbrojtjes së vlerave të përbashkëta europiane. Shteti pra, duke qenë direkt në hartën e ekstremizmit fetar (pjesëmarrja e shumë kosovarëve në luftë në Siri në formacionet e ISIS), është detyruar që me ligj t’i kufizojë disa liri dhe të drejta, siç është pjesëmarrja në luftërat e huaja. Dhe, po ashtu, për hir të sigurisë, detyrohet të kufizojë edhe disa liri fetare siç është shamia (hixhabi);

Gazeta Express: Ka po ashtu vlerësime se Kurti ka një problem me fraksionin islamik brenda VV’së që për t’i qetësuar ata duhet të marrë vendim pro shamisë?

H. Matoshi: Duket se grupi i deputetëve proislam në Kuvendin e Kosovës, (që kanë tendenca të manifestimit nga prizmi i islamit politik) do t’ia kërkojnë Kryeministrit Albin Kurti shaminë për të miturat në shkolla, si yst për këmbim me votën pro për Kodin Civil, (martesat e seksit të njëjtë për të rriturit) që ndërlidhet me anëtarësim në Këshillin e Europës?

 Gazeta Express: Është spekulative, por thuhet po ashtu se me debatin për shaminë Kurti po përpiqet t’i mbulojë temat e vështira që i ka në dialog para vetës? A qëndron kjo?

H. Matoshi: Në Ballkan gjithçka ndërlidhet me gjithçka tjetër, por nuk e shoh këtë fushatë si të inicuar nga Qeveria Kurti. Kjo është bërë nga qarqe ekstremiste që duan një baraspeshim me Kodin Civil, që rregullon martesat brenda gjinisë së njëjtë dhe në këtë aspekt, ata e shohin si mundësi të shtyjnë përpara agjenda proislame, qofshin ato edhe të kundërta me karakterin e shtetit dhe që paraqesin agjendë të rrezikshme për sigurinë kombëtare. Për mua, ndonëse një liberaldemokrat, në Kosovë siguria është (duhet të jetë) para lirisë/lirive.

Gazeta Express: Dje MASHT në një komunikatë  për vitin e ri shkollor njoftoi “se do t’i përmbushim të gjitha obligimet ligjore dhe të sigurohemi që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollor”. A mendoni se kjo tregon se Kurti është përcaktuar që MASHT ta shfuqizojë këtë urdhëresë administrative dhe nga shtatori t’i kemi edhe shamitë në shkolla?

H. Matoshi: Jo. Nuk e besoj që në këtë fazë Kurti “do të thyhet”, sepse shfuqizimi i Urdhrit Administrativ para se të bëhet Ligji për Bashkësitë Fetare dhe në kurriz të kombëtares (postulat mbi të cilin Kurti e ka mbështetur fort ngritjen e tij politike, do të paraqiste “thyerje” të lehtë të tij, ashiqare edhe rritje të kërkesave të islamit politik të kamufluara fillimisht si të drejta e liri kushtetuese.