Ish-mbrojtësi i Interit, Marco Materazzi, ka falënderuar Enzo Marescën dhe Chelsean që u “hakmorën” humbjen e Interit në finalen e Ligës së Kampionëve kundër PSG-së dhe rrëfen se ish-trajneri i Evertonit, Walter Smith, e trajtoi atë si djalin e vet.
Fituesi i Kupës së Botës me Italinë foli për eksperiencën e tij në Premier League në një intervistë për Lega Serie A.
Materazzi u largua nga Perugia në vitin 1998 për t’u bashkuar me Evertonin, ku luajti për një sezon para se të rikthehej në stadiumin Curi.
Materazzi: Koha te Evertoni ishte “e bukur dhe e vështirë”
“Ishte shumë e bukur dhe e vështirë. Shkova atje me gruan dhe djalin tim që ishte tetë muajsh,” rrëfen ish-mbrojtësi.
“Ishim vetëm, dhe nuk mund ta mohoj se do të kisha qëndruar në Perugia sepse e kishim fituar Serie B. U ktheva në Perugia dhe u rrëzuam nga liga, kështu që vendosa ta riktheja klubin në Serie A. Arritëm të ngjitemi, dhe pastaj ata më shitën te Evertoni. U thashë se doja të qëndroja si kapiten. Po fitoja shumë pak krahasuar me lojtarët e tjerë, kështu që kërkova një marrëveshje për të qëndruar, por më thanë se duhej të largohesha, prandaj bëra valixhet dhe shkova në Liverpool. Gruaja ime më bindi, më tha: ‘Kjo do ta ndryshojë jetën tonë për të mirë’, dhe ashtu ndodhi. E dija që shkuarja në Angli do të thoshte se nuk do të isha më në vëmendjen e kombëtares, dhe kjo është arsyeja e vërtetë pse u ktheva në Itali”.
“Më kujtohet gjithçka nga ajo kohë në Angli, trajneri – i cili për fat të keq nuk jeton më – Walter Smith. Ai e donte Italinë dhe gjithmonë i sillte ekipet e tij për përgatitje parasezonale në Itali, kështu që kjo ndihmoi shumë. Fakti që i donte italianët ndihmoi gjithashtu, sepse më trajtonte si birin e tij, dhe kur je jashtë vendit, të kesh dikë që të mbështet dhe beson tek ti jo vetëm si lojtar, por edhe si njeri, të ndihmon shumë për t’u përshtatur.”
Një mbrojtës shumë fizik, karakteristikat e Materazzit përputheshin mirë me stilin e Premier League në ato vite.
“Të gjithë thoshin se kisha tiparet e duhura për të luajtur në Premier League,” pranon ai.
Materazzi falënderon Marescën për fitoren ndaj PSG-së në Kupën e Botës për Klube
“Sidomos në ato vite, Premier League nuk ishte në krye të sportit. Në ato kohë, të vetmet ekipe që luanin në mënyrë ‘latine’ ishin West Ham, që luanin shumë bukur, Manchester United dhe Arsenali i Arsene Wengerit.
“Sa për të tjerat, kur luaje kundër Wimbledonit, për shembull, dhomat e zhveshjes ishin të vogla, por sulmuesit e tyre ishin aq të mëdhenj sa më bënin të dukesha i vogël. Futbolli anglez ka evoluar tani dhe është përshtatur me filozofitë e trajnerëve si Maresca, Guardiola. Maresca madje u bë kampion bote, dhe duhet ta falënderoj që u hakmor për humbjen e Interit në finalen e Ligës së Kampionëve.”
Chelsea e Marescës u bë fituesi i parë i Kupës së Botës për Klube më herët këtë muaj pasi mundi PSG-në në finalen e zhvilluar në New York.
Gjigantët e Ligue 1 e kishin mposhtur Interin 5-0 në finalen e Ligës së Kampionëve në maj.
Materazzi u rikthye në Perugia në vitin 1999 dhe më pas firmosi për Interin në vitin 2001. Ai kaloi dhjetë vjet në San Siro, duke fituar disa trofe, përfshirë pesë tituj të Serie A, katër Kupa të Italisë dhe një Ligë të Kampionëve.
Materazzi u tërhoq nga futbolli në vitin 2017 pas një periudhe trevjeçare te Chennaiyin. /GazetaExpress/
Prishtinë, 30 korrik 2025 – Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, po zgjeron praninë...