Gjatë një takimi të zhvilluar në shkollën “Kosova” në Tiranë, kryeministri Edi Rama tha se së shpejti në sistemin arsimor do të implementohet Inteligjenca Artificiale për të garantuar një mjedis më të siguritë për nxënësit.
“Ne kemi kamera në shkolla, por janë të pamjaftueshme dhe patjetër duhen pasuar me një system monitorimi me kamera të të gjithë mjedisit të brendshëm të shkollës, gjitha klasave dhe jo vetëm monitorimi po edhe përmes inteligjencës artificiale për t’i dhënë në kohë reale ekipit drejtues të shkollave një sintezë të problematikave të shfaqura dhe në këtë mënyrë ato fenomene që sot i luftojmë me sy, me këtë ndërveprim, do mund t’i luftojmë duke pasur një instrument shumë shumë të rëndësishëm”, shtoi Rama.
Një tjetër masë që aktualisht është marrë ka qenë vendosja e 240 punonjësve të policisë në shkolla, në kuadër të sigurisë së nxënësve. Kjo masë siç tha Rama është pjesë e një plani të gjerë për forcimin e sigurisë në institucionet arsimore në të gjithë vendin.
“Jemi fokusuar edhe te fuqizimi i autoritetit të mësuesit dhe motivimi i vazhdueshëm i trupës mësimore. Këtë e kemi bërë me të gjitha mënyrat e nevojshme, por mbi të gjitha duke vendosur si objektiv strategjik, rritjen e vazhdueshme të pagave. Sot kemi arritur me ndërhyrjen e fundit në Qershor, që pagën mesatare ta kemi 950 euro. Synimi ynë është që Shqipëria 2030 të anëtarësohet në BE dhe të jetë kampione në rajon, duke pasur këtu shërbëtorë publikë sa më të devotshëm, endur ta patjetër janë 3 figura kryesore mbi të cilat qëndron gjithë shoqëria, mësuesi, mjeku dhe polici. Për një kohë të gjatë kemi mbetur shumë mbrapa në dije. Është dija që i kthen pasuritë natyrore në pasuri të përbashkët, që i jep mundësinë të transformohet më shpejt. Një dekadë më parë mësuesit hidheshin si lecka lart e poshtë dhe vënia e tyre ishte klienteliste. Sot nuk krahasohet situate”, tha Rama.
Ndërkaq kryeministri i Shqipërisë premtoi vijimin e mbështetjes financiare për mësuesit.