Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, më 20 shtator mbahet diskutim me profesor, Ardian Ndreca për Marubin si shkrimtar.
Arti i fotografisë ka një valencë të dyfishtë, nga njëra anë ai shpalosë një “strategji narrative” të veçantë që përdorë dritën dhe nga ana tjetër aktivizon shkrimin e qytetit nëpërmjet gjallërimit të imagjinatës sonë. Fotografia e Marubit rekuperon një dimension të mëtejshëm që shkrimtari nuk ka mundësi ta rrëfejë aq drejtpërdrejt me mjetet që disponon. Aktivizimi i këtij niveli makrotekstual bën që artisti fotograf të kthehet në një shkrimtar “sui generis” dhe rrëfimi i tij të ngërthejë trajta bindesë dhe thellësi intime edhe pas shumë dekadash.
Ardian Ndreca ka lindur në Shkodër në vitin 1969. Ka kryer studimet për filozofi në Romë ku edhe jeton që nga viti 1990. Mban katedrën e Historisë së Filozofisë moderne pranë Universitetit Urbanian dhe është profesor i ftuar pranë John Carroll University (Cleveland). Nga viti 2006 deri në vitin 2015 ka drejtuar revistën “Hylli i Dritës” dhe nga viti 2016 drejton të përkohshmen “Shêjzat”. Ka qenë i pranishëm në shtypin shqiptar me artikuj kritikë, polemika dhe shkrime të natyrës historike. Fushat e tij të studimit në lëmin e filozofisë janë kryesisht idealizmi gjerman, ekzistencializmi si edhe filozofë të ndryshëm bashkëkohorë. Ka botuar një seri artikujsh filozofikë në revista të specializuara. Ka organizuar konferenca shkencore si edhe disa kuvende ndërkombëtare, ndër të cilat përmendim: “L’Albania nell’Archivio di Propaganda Fide” (Romë, tetor 2015), “Drita e Arkivave, dritë mbi arkivat” (Tiranë, dhjetor 2017).
Vepra: “Mediazione o paradosso? Kierkegaard contra Hegel”, Bonomi, Pavia 2000. “La soggettività nella filosofia di S. Kierkegaard”, Urbaniana University Press, Romë 2005. “Lessico di filosofia della storia”, Urbaniana University Press, Romë 2012. “Filosofia dello spazio urbano”, Padova 2019. “Gramatika e mendimeve të shkarravituna”, publicistikë, Tiranë 2005 “Në kërkim të nji horizonti të ri kulturor” përmbledhje studimesh, (kujdesoi botimin), Tiranë 2006 “Kur «Skënderbeu» nuk asht historia e Skënderbeut”, pamflet, Tiranë 2008. “Lin Delija: Rrugëtime paralele”, (me bashkëautore Persida Asllanin) katalog në kuadër të ekspozitës së hapur në Tiranë, qershor 2010 “Kadare, leximi dhe interpretimi” (kujdesues i përmbledhjes me studime), Onufri, Tiranë 2016
Përkthime: “Letra grues seme të vdekun”, Gjovalin Gjadri, përkthim nga origjinali gjermanisht, Onufri, Tiranë 2017 (bot. II Tiranë 2018)