string(53) "marton-vuciq-ne-paraden-e-ushtrise-qe-vret-ne-ukraine"

Lajme

Gazeta Express

09/05/2025 7:03

Marton: Vuçiq në paradën e ushtrisë që vret në Ukrainë

Lajme

Gazeta Express

09/05/2025 7:03

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndodhet në Moskë ku merr pjesë në paradën ushtarake të 9 majit, të organizuar nga regjimi i Vladimir Putinit – i njëjti regjim që tash e tri vjet është përfshirë në një luftë brutale kundër Ukrainës, duke shkaktuar mijëra viktima civile dhe shkatërrim të pashembullt në Evropën bashkëkohore.

Kështu ka thënë Aleksandar Marton, zëdhënës i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës (LSV), në një tekst autorial të publikuar në Danas.

Ndërsa Vuçiq qëndron në tribunën e nderit dhe duartroket ushtrinë ruse që ka bombarduar qytete si Mariupol, Buça, Harkiv, Kramatorsk dhe shumë të tjera, Marton thotë se autoritetet në Serbi vazhdojnë të heshtin për agresionin rus ndaj një vendi sovran.

“Presidenti i Serbisë do të aplaudojë krahas diktatorëve dhe figurave më të errëta të politikës globale, në një paradë që nuk ka asnjë lidhje me antifashizmin – përkundrazi, me gjithçka që ai përfaqëson,” thotë Aleksandar Marton.

Ai kujton se 9 maji, si Ditë e Fitores ndaj Fashizmit, përfaqëson një moment historik që duhet të nderohet me kujdes dhe përgjegjësi. Megjithatë, sipas tij, “antifashizmi sot nuk jeton më në Moskë, dhe aq më pak në Rusinë e Putinit që okupon pjesë të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë”.

Kritikat ndaj Vuçiqit nuk ndalen këtu. Marton kujton se presidenti serb, që dikur ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Vojislav Sheshelit, nuk ka bërë asgjë për të ruajtur trashëgiminë antifashiste në Serbi. “Në Beograd dhe në shumicën e qyteteve nuk gjen më as rrugë që mbajnë emrin e Titos – njeriut që udhëhoqi forcat partizane që çliruan Serbinë së bashku me Ushtrinë e Kuqe,” thekson ai.

Ai thekson gjithashtu se përpjekjet për rishkrim të historisë janë bërë pjesë e strategjisë politike të pushtetit në Beograd. “Po pastrohet imazhi i Nediqit, Ljotiqit dhe çetnikëve, ndërsa për partizanët flitet me përçmim – ose nuk flitet fare. Po heshtet edhe për përpjekjet e Viktor Orbanit për të rehabilituar Horthyn, përgjegjës për pushtimin e një të tretës së Vojvodinës dhe vrasjen e mbi 15.000 civilëve në Bačka.”

Marton paralajmëron se pjesëmarrja në këtë ngjarje të udhëhequr nga Putini është një sinjal i rrezikshëm për pozicionimin ndërkombëtar të Serbisë: “Kjo nuk është vetëm një zgjedhje politike – është një akt i turpshëm që e vendos Serbinë përkrah agresorëve, jo viktimave të luftës. Ukraina, një vend që kurrë nuk i ka bërë keq Serbisë, është thellësisht e fyer nga kjo sjellje.”

“Brukë dhe turp që do të jetojnë përgjithmonë,” përmbyll Marton.