Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka shprehur optimizëm për mundësinë që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030. Në një intervistë për median gjermane WELT, Kos vlerësoi progresin e Shqipërisë në reformat e integrimit dhe theksoi se, nëse vazhdohet me këtë ritëm, ka mundësi të mëdha që Shqipëria të përfundojë procesin e negociatave dhe të bëhet anëtare e BE-së brenda pesë viteve.
“Mund ta kuptoj shumë mirë zhgënjimin në Ballkanin Perëndimor. Unë vij nga kjo zonë. Po ju paraqes një krahasim. Nëse Ukraina do të duhej të priste aq gjatë sa Maqedonia e Veriut, ne do të fillonim negociatat me Ukrainën në vitin 2045. Dhe kjo nuk mund të ndodhë. Kjo vlen edhe për shtetet e Ballkanit Perëndimor”, tha Kos.
Kos vlerësoi Shqipërinë për përpjekjet e saj të vazhdueshme në implementimin e reformave të nevojshme për integrimin. Ajo nënvizoi se, nëse ky ritëm progresi vazhdon, mund të përfundojnë të gjithë kapitujt e negociatave me Malin e Zi deri në fund të vitit 2026 dhe më pas me Shqipërinë deri në vitin 2027.
“Kjo do të thotë se ka mundësi reale që të dyja këto shtete të bëhen anëtarët tanë të rinj deri në vitin 2030”, përfundoi Kos.