Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), e zhvilluar në Pragë, komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos, shprehu pritshmëritë që deri në fund të mandatit të saj në vitin 2029, Mali i Zi dhe Shqipëria mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
Duke folur për situatën në Ballkanin Perëndimor, Kos theksoi se ky rajon, në disa aspekte, ka qenë në një gjendje më të mirë para 20 vjetësh sesa sot.
“Ekzistojnë dy ose tri histori të dhimbshme. Njëra prej tyre është Kosova, e cila nuk po arrin të ecë përpara. Një tjetër histori e trishtë është Maqedonia e Veriut… Nëse do ta kishim pritur Ukrainën aq gjatë sa kemi pritur Maqedoninë e Veriut për të nisur negociatat, atëherë Ukraina do t’i fillonte negociatat në vitin 2045. Dhe natyrisht, është edhe Bosnja dhe Hercegovina,” u shpreh Kos.
E pyetur nëse Milorad Dodik mund të shihet si një bashkëbisedues i vlefshëm në procesin e anëtarësimit të Bosnjës dhe Hercegovinës në BE, Kos u shpreh skeptike.
“Është e vështirë të bashkëpunosh me dikë që nuk punon në të mirën e vendit të tij, Bosnjës dhe Hercegovinës. Është po aq e vështirë të kesh të bësh me dikë që vepron kundër integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues të shtetit. Ky është edhe një nga arsyet pse nuk kemi qenë në gjendje të hapim negociatat me Bosnjën, ndonëse ajo ka status kandidati. Por për shkak të krizës së brendshme politike, ata nuk janë në gjendje të caktojnë as kryenegociatorin,” theksoi komisionerja.
Ajo shtoi se autoritetet e Bosnjës nuk kanë arritur as të përpilojnë një agjendë reformash që do t’u mundësonte përfitimin e një miliard eurove nga Plani i Rritjes i BE-së.
“Po punojmë seriozisht për këtë çështje,” shtoi ajo.
Megjithatë, Kos shprehu shpresë për përparim në procesin e negociatave, duke vënë në dukje bashkëpunimin në rritje të opozitës në Republikën Sërpska.
“Ka disa pika pozitive, dhe një prej tyre është që opozita në RS po bëhet më konstruktive. Kjo mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt përparimit të procesit të negociatave,” u shpreh Kos.
Sa i përket sanksioneve ndaj Dodikut për sjelljen e tij destruktive, Kos tha se kjo nuk është e realizueshme për momentin, pasi nuk ka pajtueshmëri mes shteteve anëtare të BE-së.
“Shtetet anëtare nuk janë të bashkuara për vendosjen e sanksioneve kundër Dodikut,” përfundoi ajo. /Vijesti