Mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës (BKK) dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit, me qëllim forcimin e lidhjeve institucionale dhe avancimin e shërbimeve bibliotekare.
Marrëveshja parasheh bashkëpunim në kuadër të rrjetit bibliotekar dhe shfrytëzimin e platformës KOHA për katalogimin, inventarizimin dhe përpunimin bibliografik të fondit të ASHAK-ut, si dhe azhurnimin e bibliografive të akademikëve. Gjithashtu, ajo përfshin trajnimin e stafit përkatës, shkëmbimin e materialeve bibliotekare, përvojës profesionale dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kulturore, edukative dhe shkencore.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të qasjes në burime shkencore dhe akademike, si dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve për komunitetin hulumtues dhe publikun e gjerë.