Marrëveshja nis të zbatohet menjëherë, të premten ZRRE pritet ta licencojë "Elektroseverin" - Gazeta Express
string(88) "marreveshja-nis-te-zbatohet-menjehere-te-premten-zrre-pritet-ta-licencoje-elektroseverin"

Lajme

Gazeta Express

22/06/2022 14:03

Marrëveshja nis të zbatohet menjëherë, të premten ZRRE pritet ta licencojë “Elektroseverin”

Lajme

Gazeta Express

22/06/2022 14:03

Zyra e Rregullatorit për Energji të premten pritet t’ia japë lejen për operim në veri të vendit kompanisë së shtetit serb, “Drustvo Elektrosever D.O.O”, raporton Gazeta Express.

ZRRE do ta mbajë mbledhjen e radhës pasnesër në orën 13:00 dhe sipas njoftimit, njëra prej pikave të rendit të ditës është edhe shqyrtimi i kërkesës/aplikacionit për dhënie të licencës për furnizim me energji elektrike kompanisë serbe.

Lexo Edhe:

Kosova u pajtua paraprakisht që t’i japë kompanisë së shtetit serb, “Elektrosever” leje për të operuar në veri të vendit. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai serb, Petar Petkoviq e nënshkruan të martën dokumentin e implementimit të marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015 për energjinë, kur në krye të shtetit ishin Hashim Thaçi e Isa Mustafa.

Sipas udhërrëfyesit për të cilin Kosova dhe Serbia u dakorduan në Bruksel, kjo kompani parashihet ta nënshkruajë një marrëveshje tregtare me KEDS-in, përmes së cilës do t’i mundësohet t’i kryejë shërbimet e distribuimit (faturimin, inkasimin, mirëmbajtjen dhe kyçjen e konsumatorëve të rinj) në katër komunat me shumicë serbe në veri. Kjo, parashihet të ndodhë 10 ditë pas licencimit.

“Drustvo Elektrosever D.O.O.” është përgatitur për këtë që nga dhjetori i vitit 2020. Atëherë, kjo kompani kishte aplikuar për leje në ZRRE.

Kjo kompani është e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë që në nëntor të vitit 2018. Pronare e saj rezulton të jetë shteti serb.

Sipas të dhënave në ARBK, kompania publike serbe për prodhimin, furnizimin dhe tregtimin e energjisë elektrike – “JP Elektroprivreda Srbije Beograd”, posedon 100% të aksioneve të “Drustvo Elektrosever D.O.O.”

Boban Novakoviq është i regjistruar si drejtor i kësaj kompanie, që si aktivitet primar e ka tregtinë e energjisë elektrike.

Ashtu siç paralajmëroi para një jave zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, edhe marrëveshja parasheh se nuk do të ketë licencim të asnjë kompanie tjetër për operim në veri të vendit, përveç “Drustvo Elektrosever D.O.O.”.

Këtë, që Kurti në vitin 2018 tha se nuk do të duhej të ndodhte kurrsesi, e mirëpriti të martën.