Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara kanë arritur marrëveshje tregtare me Kinën, nga e cila do të marrin magnetë dhe minerale të rralla, ndërsa tarifat për Kinën do të shkojnë në 55%.
Në detaje të tjera, Trump ka treguar se SHBA-ja do t’i ofrojë Kinës “atë që u ra dakord”, përfshirë lejen për studentët kinezë që të ndjekin kolegjet dhe universitetet amerikane.
E gjithë kjo, sipas mediave amerikane, shënon një kthesë të papritur, pasi presidenti republikan kishte nisur së fundmi një ashpërsim të masave ndaj pranisë së shtetasve kinezë në kampuset universitare të SHBA-së.
Ndërkohë, edhe tarifa e re prej 55% përbën një rritje të ndjeshme krahasuar me normën 30% që ishte caktuar gjatë bisedimeve të majit në Zvicër.
“Marrëveshja jonë me Kinën është kryer, në pritje të miratimit përfundimtar nga presidenti Xi dhe unë,” shkroi Trump në Truth Social.
Ai më tej shtoi se parapakisht Kina do të furnizojë vendin me magnetët e plotë dhe të gjitha mineralet e rralla të nevojshme.
“Ne po vendosim tarifa prej 55%, Kina prej 10%. Marrëdhënia është e shkëlqyer”, ka shkruar Trump.
Kujtojmë se mbrëmjen e së martës, negociatorë të lartë amerikanë dhe kinezë konfirmuan se kishin rënë dakord për një kuadër të ri që do t’i rikthejë bisedimet tregtare në rrugë të mbarë, pas një sërë mosmarrëveshjesh që kishin rrezikuar ndërprerjen e tyre.