Ish-sulmuesi i Man City dhe Liverpool e bëri të qartë mendimin e tij për këtë çështje.
Mario Balotelli ka treguar se kush është idhulli i tij në futboll, duke mos zgjedhur as Cristiano Ronaldon e as Lionel Messin.
Balotelli është i njohur mirë për tifozët e Premier League falë kohës së tij te Manchester City dhe Liverpool.
Sulmuesi ekstravagant italian u bashkua me City-n nga Interi në vitin 2010 dhe fitoi Kupën e Anglisë dhe Premier League me klubin.
Balotelli u transferua te AC Milan në vitin 2013 përpara se të kthehej në Angli dhe të nënshkruante për Liverpool.
Por periudha e Balotellit në Anfield nuk ishte e suksesshme dhe ai u rikthye në San Siro në huazim për sezonin 2015/16, përpara se të kalonte përfundimisht te Nice në vitin 2016.
Pas largimit nga Nice në vitin 2019, karriera e Balotellit ka parë lëvizje pothuajse çdo verë dhe ai ka përfaqësuar disa klube në Francë, Zvicër, Turqi dhe Itali.
Duke folur për botimin italian La Gazzetta dello Sport, Balotelli tha:
“Po kërkoj një klub që do të ketë besim tek unë. Dua të luaj edhe dy ose tre vite të tjera. Më pas do të shkoj te vëllai im Enock. Ai tani po luan për Vado në mesin e amatorëve. Do të shohim. Sidoqoftë, i kam premtuar atij që do ta përfundoj karrierën duke luajtur krah tij.”
Mario Balotelli zbulon idhullin e tij në futboll
Në të njëjtin intervistë, Balotelli zbuloi se kush ishte idhulli i tij në futboll, dhe zgjedhja nuk ishte as Ronaldo e as Messi.
Të dy konsiderohen gjerësisht si disa nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe janë një zgjedhje e zakonshme për titullin GOAT, falë 13 Topave të Artë që kanë fituar së bashku.
Por Balotelli zgjodhi një lojtar që shkëlqeu për Interin në vitet ’90 – Ronaldo Nazario.
Braziliani luajti për Interin nga viti 1997 deri në 2002, duke shënuar 59 gola në 99 paraqitje për klubin. Ishte një periudhë që Balotelli e kujtonte me nostalgji, ndërsa shpjegoi pse Ronaldo është idhulli i tij në futboll, i cili, ashtu si ai, përfundoi duke luajtur për të dy klubet e Milanos.
“Kur isha fëmijë, isha tifoz i Nerazzurrëve sepse idhulli im ishte Ronaldo Fenomeni, dhe nuk e kam fshehur kurrë dashurinë time për Rossonerët. Por të jesh tifoz është diçka krejt tjetër”, tha ai. /GazetaExpress/