Dy vite pas largimit të tij nga Paris Saint-Germain, Marco Verratti ka thyer heshtjen dhe ka folur për ndryshimet që kanë ndodhur te klubi francez, si dhe për raportin e tij me Kylian Mbappé-n, tani yll i Real Madridit.
Ish-mesfushori i Italisë, që kaloi 11 vite te PSG dhe zhvilloi 416 paraqitje, u largua nga Parisi në vitin 2023 për t’u transferuar te Al-Arabi në Katar. Së fundmi, ai është bashkuar me ekipin tjetër katarez Al-Duhai, por në një intervistë për Gazzetta Italia, ai i është rikthyer temës PSG dhe suksesit të tyre të fundit në Ligën e Kampionëve.
“PSG nuk fitoi sepse u larguan yjet”
Verratti hodhi poshtë idenë se largimi i super yjeve si Messi, Neymar dhe Mbappé ka ndikuar në suksesin e PSG-së.
“Nuk është kështu. Yjet janë aty, PSG i ka ata. U krijua një grup i madh, që mendon për ekipin dhe jo për individin. Luis Enrique ka qenë brilant. Mendoj se do të fitojnë për vite me radhë,” – tha Verratti.
Ai gjithashtu sqaroi spekulimet rreth largimit të tij, duke mohuar që kishte ndonjë konflikt me trajnerin Enrique:
“Një gjë: u shkrua se u largova sepse Luis Enrique nuk më donte. Kjo është e pavërtetë. Bisedën për largim e pata shumë më herët me presidentin Nasser Al-Khelaifi. Ishte vendimi im – doja sfida të reja.”
Vlerësimi për Mbappé-n dhe parashikimi për Topin e Artë
Verratti nuk kurseu lavdërimet për Kylian Mbappé-n, me të cilin ndau fushën për disa sezone në Paris.
“Mbappé është i uritur për sukses, është jashtëzakonisht konkurrues dhe jam i bindur se herët a vonë do ta fitojë Topin e Artë,” – deklaroi Verratti.
Edhe pse 26-vjeçari ende nuk e ka fituar këtë çmim prestigjioz, Verratti beson se është çështje kohe derisa ai të arrijë këtë majë të karrierës.
Mbappé dhe deklaratat e fundit për Topin e Artë 2025
Pas eliminimit të Francës nga Spanja në gjysmëfinalen e UEFA Nations League, Mbappé komentoi edhe për çmimin e Topit të Artë, duke i habitur disa me zgjedhjen e tij:
“A do të votoja për Dembélé? Po. Nuk ka shumë për të shpjeguar. Flitet për Lamine Yamal dhe Dembélé, por për mua zgjedhja është e qartë: Dembélé.”
Mbappé shtoi gjithashtu:
“Gjërat mund të ndryshojnë shumë deri në shtator, kur dhe jepet çmimi.” /GazetaExpress/
Prishtinë, 30 korrik 2025 – Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, po zgjeron praninë...