Maqedonia e Veriut shënon 6 vjet në NATO në një kohë përçarjesh brenda Aleancës - Gazeta Express
string(79) "maqedonia-e-veriut-shenon-6-vjet-ne-nato-ne-nje-kohe-percarjesh-brenda-aleances"

Maqedoni

Gazeta Express

27/03/2026 11:13

Maqedonia e Veriut shënon 6 vjet në NATO në një kohë përçarjesh brenda Aleancës

Maqedoni

Gazeta Express

27/03/2026 11:13

Maqedonia e Veriut sot mbush plot 6 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA, transmeton Portalb.mk.

Angazhimi për integrimin euroatlantik daton që nga viti 1993, kur Kuvendi miratoi një Rezolutë që përcaktonte prioritetet e jashtme politike të vendit, përkatësisht anëtarësimin në NATO dhe BE.

Në nëntor të vitit 1995 vendi u bë anëtare e Partneritetit për Paqe, ndërsa në qershor të vitit vijues u hap Zyra ndërlidhëse e Republikës së Maqedonisë me NATO-n.

Më pas pasoi hapja e Zyrës Ndërlidhëse në vitin 1996 dhe vitin e ardhshëm, në vitin 1997, shteti u pranua në procesin PARP. Menjëherë pas kësaj, në Bruksel u hap Misioni i Republikës së Maqedonisë në NATO.

Në Samitin e Uashingtonit në prill 1999, vendi u bë zyrtarisht vend kandidat. Vendi qëndroi me atë status për njëzet vjet.

Më e afërta me NATO-n ishte në vitin 2008, në samitin në Bukuresht, por Aleanca atëherë arriti në përfundimin se vendi ishte teknikisht gati për të hyrë, por hyrja u pengua nga vetoja greke për shkak të mosmarrëveshjes së pazgjidhur të emrit. Pas gati tre dekadash mosmarrëveshja u tejkalua me Marrëveshjen e Prespës të nënshkruar më 17 qershor 2018, dhe dera e NATO-s u hap.

Më pak se një muaj pas marrëveshjes së arritur me Greqinë, në Samitin e NATO-s në Bruksel (11-12 korrik 2018), në një takim në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive, Aleanca mori vendim për të ftuar Maqedoninë e Veriut të nisë negociatat për anëtarësim në Aleancë.

Më 1 gusht 2018, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i dërgoi një letër Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut së bashku me Planin për zbatimin e procesit të anëtarësimit në NATO, dhe në tetor të po këtij viti, në një takim në Bruksel përfunduan zyrtarisht bisedimet e pranimit. Më 6 shkurt 2019, përfaqësuesit e përhershëm të 29 vendeve anëtare të Aleancës në selinë e NATO-s nënshkruan protokollin e anëtarësimit për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Pas kësaj ngjarje, filloi faza tjetër, në të cilën protokolli i anëtarësimit u ratifikua në parlamentet kombëtare dhe institucionet e vendeve anëtare të Aleancës, si dhe u ratifikua edhe në Kuvendin e RMV-së.

Zyrtarizimit të anëtarësimit të plotë, i ka paraprirë nënshkrimi i Instrumentit të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO nga presidenti Stevo Pendarovski më 20 mars 2020.

Ndryshe, raporti i NATO-s për shpenzimet në periudhën 2014–2025 tregon se Evropa dhe Kanadaja vitin e kaluar i rritën shpenzimet për mbrojtje me rreth 20 përqind. Megjithatë, mes vendeve anëtare të Aleancës ka dallime të mëdha në shpenzimet për mbrojtje.

Si tregues se si agresioni rus dhe presionet nga Donald Trump po i shtyjnë aleatët të shpenzojnë më shumë për mbrojtje, të 32 vendet anëtare të NATO-s e arritën objektivin prej 2% të PBB-së në vitin 2025, sipas analizës.

Shpenzimet për vitin e kaluar në raport bazohen në vlerësimet e NATO-s.

Sipas të dhënave nga raporti vjetor, anëtarët evropianë të NATO-s dhe Kanadaja investuan gjithsej 574 miliardë dollarë në mbrojtje gjatë vitit 2025, që përfaqëson një rritje prej 20 për qind në terma realë krahasuar me vitin paraprak.

“Kjo tregon se aleatët e NATO-s e kuptojnë mjedisin tonë të ndryshuar të sigurisë dhe nevojën për të përmbushur detyrimet tona kolektive. Pres që samiti i NATO-s në Ankara këtë korrik të ndërtohet mbi arritjet tona në vitin 2025”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në raport.

Në ndërkohë, dokumenti zbulon mospërputhje të mëdha në shpenzimet mes aleatëve.

Në vitin 2025, Spanja, Portugalia, Shqipëria, Belgjika dhe Kanadaja shpenzuan pjesën më të vogël të PBB-së për mbrojtje, secila saktësisht 2 për qind.

Maqedonia e Veriut është në gjysmën e dytë të listës së përbërë nga 31 vende anëtare, me 2,13 për qind të PBB-së për mbrojtje, duke u renditur në vendin e 17-të.

Përndryshe, që nga ardhja në pushtet e Donald Trump, marrëdhëniet brenda NATO janë përballur me sfida dhe tensione të reja, duke përfshirë kritikat e vazhdueshme ndaj aleatëve për shpenzimet e mbrojtjes dhe dyshimet mbi angazhimin e SHBA-së ndaj mbrojtjes kolektive. Këto tensione u thelluan sidomos gjatë krizës me Irani, ku Trump kritikoi ashpër vendet anëtare për mungesë mbështetjeje dhe paralajmëroi për pasoja serioze nëse aleatët nuk përfshihen në operacionet ushtarake, duke e vënë në pikëpyetje edhe të ardhmen e Aleancës. Megjithatë, pavarësisht këtyre krizave dhe përplasjeve transatlantike, procesi i zgjerimit të NATO-s vazhdoi, duke kulmuar me anëtarësimin e Maqedonia e Veriut në vitin 2020 si një dëshmi e vazhdimësisë së politikës së dyerve të hapura.

Advertisement
Advertisement
Advertisement