Maqedonia e Veriut rrezikon humbjen e 134 milionë eurove nga BE, ka zbatuar vetëm 40% të reformave - Gazeta Express
string(96) "maqedonia-e-veriut-rrezikon-humbjen-e-134-milione-eurove-nga-be-ka-zbatuar-vetem-40-te-reformave"

Maqedoni

Gazeta Express

06/09/2025 15:03

Maqedonia e Veriut rrezikon humbjen e 134 milionë eurove nga BE, ka zbatuar vetëm 40% të reformave

Maqedoni

Gazeta Express

06/09/2025 15:03

Komisioni Evropian ka publikuar tabelën e rezultateve të Programit të Zhvillimit dhe Reformës në Ballkanin Perëndimor, ku Maqedonia e Veriut tregon progres modest, ndërsa Shqipëria dhe Serbia shënojnë ngecje të plotë.

Sipas raportit zyrtar të Mekanizmit të Reformës dhe Rritjes, Maqedonia ka arritur të përmbushë vetëm 2 nga 5 hapat e planifikuar deri në dhjetor 2024, që përfaqëson 40% të detyrimeve të saj. Për këtë, vendi mori rreth 8.5 milionë euro nga BE, shkruan Portalb.

Megjithatë, situata për vitin 2025 paraqitet edhe më problematike.

“Asnjë nga 19 reformat e planifikuara për vitin 2025 nuk është zbatuar,” thuhet në raportin e KE-së, duke paralajmëruar se Maqedonia rrezikon të humbasë 134 milionë euro, ndërsa në rrezik është vënë edhe një total prej 205 milionë eurosh mbështetje evropiane.

Në muajt e ardhshëm, vendi duhet të zbatojë deri në 48 reforma – të reja dhe të prapambetura. Këto përfshijnë riorganizimin e sistemit hekurudhor, rritjen e numrit të inspektorëve të punës, përforcimin e Agjencisë së Konfiskimit të Pasurive, reformimin e sektorit të energjisë, modernizimin e ndërtesave qeveritare, sigurinë kibernetike, përmirësimin e sistemit gjyqësor dhe masat kundër korrupsionit.

“Maqedonia gjithashtu duhet të digjitalizojë shkollat, të zvogëlojë punësimin informal, të përmirësojë prokurimin publik dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike dhe të prezantojë kontrollin e shpenzimeve përmes auditimeve të brendshme,” theksohet në dokument.

Raporti kërkon gjithashtu miratimin e një Kodi të ri Penal, pajisjen e Prokurorisë me staf ekspert për ndjekjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe zbatimin e procedurave transparente për emërimin e menaxherëve të ndërmarrjeve publike.

Pavarësisht rezultateve të dobëta, Maqedonia nuk është më e fundit në rajon.

“Shqipëria dhe Serbia nuk kanë zbatuar asnjë nga hapat e planifikuar – me performancë zero për qind dhe pa asnjë shpërndarje të fondeve evropiane,” vlerëson KE.

I vetmi vend që ka shënuar një ritëm relativisht të kënaqshëm është Mali i Zi, me një normë përfundimi prej 50%.

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej 6 miliardë eurosh, u miratua më 8 nëntor 2023 nga Komisioni Evropian. Ai bazohet në katër shtylla: integrimi në tregun unik të BE-së, forcimi i bashkëpunimit rajonal, përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për mbështetjen e tyre.