Federico Valverde po kalon një nga periudhat më të mira të karrierës së tij.
Kapiten i Real Madridit dhe i kombëtares së Uruguajit, ai po shijon vitin 2026 si në aspektin profesional ashtu edhe personal, ndërsa ndau rrëfime shumë të sinqerta në podcastin “Terapia Picante”.
Valverde tregoi vështirësitë që përjetoi kur u transferua në Madrid, duke u përballur me një realitet krejt ndryshe.
“Mendova: ku po futem? Kur hyra në dhomat e zhveshjes dhe pashë rrobat e shtrenjta të të gjithëve, i hiqja rrobat shpejt që të mos shihnin që nuk kisha marka”, tha ai.
Ai kujtoi edhe momentin kur pa makinat luksoze të bashkëlojtarëve te Castilla.
“Ishte turp i madh për mua. Mendova: ‘çfarë po bëj këtu?’”, shtoi ai.
Pavarësisht këtij kontrasti të madh me jetën e tij të mëparshme te Peñarol, në fushë ai tregoi menjëherë potencialin e tij. Madje, goditjet e tij të fuqishme kanë shkaktuar edhe dëmtime.
“Kam dëmtuar disa portierë. Kam lënduar Luca Zidane në shpatull. Mendova se do të më përjashtonin, sepse lëndova djalin e Zidane”, u shpreh ai.
Një tjetër moment që ai kujtoi ishte një video virale nga rinia e tij, ku zëri i tij u bë objekt talljeje.
“Ishte e vështirë. Njerëzit nuk e dinë çfarë fshihet pas. Sot qesh me këtë, por atëherë vuaja”, vazhdoi mesfushori i Realit.
Ai zbuloi se kishte probleme me zërin dhe i ishte rekomanduar operacion, por familja e tij nuk kishte mundësi financiare.
“Ishim familje modeste dhe nuk kishim para për operacion. Mendonim se do të ndryshonte me kohën, por nuk ndodhi. M’u deshën vite të tëra që të flisja lirshëm me njerëz që nuk i njihja. Kisha shumë turp”, tha ai.
Valverde foli edhe për mentalitetin e tij në fushë, duke përmendur ndërhyrjen e famshme ndaj Alvaro Moratas.
“E dija që do të ndëshkohesha me karton të kuq, por mendova vetëm që Real Madrid duhet të fitonte. Ne amerikanolatinët jemi gjaknxehtë – ndonjëherë ndjen dëshirën ta ndalosh me çdo kusht”, bëri me dije ai. Sot, ai është një nga mesfushorët më të kompletuar në botë, por rrëfimi i tij tregon se rruga drejt suksesit ka qenë e mbushur me pasiguri, sakrifica dhe momente të vështira që e kanë formuar si lojtar dhe si njeri./GazetaExpress/