Manchester United ka bërë një qasje të re për të transferuar portierin argjentinas të Aston Villës, Emiliano “Dibu” Martínez. Lajmin e ka bërë të ditur gazetari i njohur, Fabrizio Romano.
Sipas tij, “Djajtë e Kuq” kanë intensifikuar kontaktet me klubin nga “Villa Park” dhe kampin e lojtarit, në një kohë kur bisedimet për transferimin e Senne Lammens mbeten ende të hapura.
Megjithatë, me më pak se 48 orë nga mbyllja e merkatos, United dëshiron të ketë një alternativë të sigurt në rast se marrëveshja për portierin belg dështon.
Martínez, i cili është shpallur kampion bote me Argjentinën në vitin 2022 dhe është një nga figurat kyçe të Aston Villës në vitet e fundit, shihet si një përforcim i nivelit të lartë për portën e “Old Trafford”.
Ende nuk ka marrëveshje përfundimtare, por rikthimi i United në bisedime me Villën tregon se drejtuesit e klubit janë të vendosur të mos mbeten pa një transferim të madh në këtë repart vendimtar.